Mbrëmjen e së enjtes në Euroligë janë parë skena të turpshme për nivelin elitar të basketbollit evropian. Në fund të ndeshjes mes Realit të Madridit dhe Partizanit të Beogradit, në përballjen e dytë çerekfinale mes këtyre ekipeve, nisi një sherr masiv në parket, që detyroi arbitrat që të ndërprisnin takimin para kohe.
Një faull i ashpër i lojtarit të Realit, Sergio Llull ndaj Kevin Punter, kur ndeshja ishte 95-80 për serbët, bëri që basketbollistët e të dyja skuadrave të rrihnin njëri-tjetrin me grushte dhe shkelma, madje kishte edhe kapje xhudoje.
Pasi u panë pamjet me kujdes, 21 nga 24 lojtarë u skualifikuan, për këtë arsye edhe ndeshja u pezullua. Ndërsa brenda 24 orësh do të jepen dënimet për lojtarët e përfshirë në sherr. Ndeshja e tretë do të luhet në Serbi, të martën tjetër, dhe duket se lufta sportive dhe jo vetëm mes këtyre skuadrave, ende nuk ka përfunduar.
