Prej disa muajsh në Kuvend po punohet për një paketë ndryshimesh në disa ligje që janë pjesë e Reformës në Drejtësi, dhe kreu i grupit parlamentar i PS-së, Taulant Balla i bëri sot thirrje opozitës që t’i votojë.
Në një dalje për mediat, Balla shprehu gatishmërinë e mazhorancës për t’u ulur me opozitën në një tryezë e për të diskutuar. I pyetur se me cilën nga “opozitat” kërkon të bashkëpunojë PS, Balla tha se bëhet fjalë për Partinë Demokratike.
“Për hir të punës të përbashkët të ulemi dhe të diskutojmë çështje që meritojnë të punojmë së bashku. Mezi pres që të ulemi dhe të diskutojmë dhe të shkojmë t’i votojmë”,-deklaroi Balla.
Ai theksoi se kolegët e opozitës nuk mund të “akuzohen” për tradhti nëse bashkojnë votat me mazhorancën për të “zgjidhur diçka të mirë për Shqipërinë.”
