Diskutimet e fundit për rrogat e reja të policisë gjyqësore i kanë dhënë edhe një herë zë rezervave të forta, mbase edhe xhelozisë, që kanë deputetët lidhur me superpagat e sistemit të drejtësisë. Si thuajse në çdo rast kur diskutohen paga gjyqtarësh, prokurorësh, komisionerësh, asistentësh, apo strukturave mbështetëse të sistemit të drejtësisë, ka qenë ish Kryeministri Bashkim Fino ai që ka ngritur përsëri zërin kundër.
Si Relatori i Buxhetit të Drejtësisë në Komisionin e Ligjeve, në fund të vitit të shkuar, Bashkim Fino, përsëriti në çdo seancë të diskutimit të shpenzimeve të institucioneve të drejtësisë se ato janë ndjeshëm më të larta se të Presidentit, Kryministrit, Ministrave, dhe më shumë se dyfishi i asaj që përfitojnë deputetët. Kjo pasi, duke llogaritur shtesat për vjetëri pune, përqindjen për çdo fëmijë nën 18 vjeç, shtesën prej 40 % të pagës për delegimin, vështirësitë etj., paga e një gjyqtari dhe prokurori i afrohet kuotës së 400 mijë lekëve në muaj.
Ndërkohë që rezervat e Finos nuk janë mjaftuar thjesht me kostatimin e pagave të magjistratëve që janë sot sa dyfishi i deputetëve. Ish Kryeministri është kujdesur që të mos plotësojë thuajse në të gjitha rastet kërkesat e organeve të drejtësisë për nivelet e pagave, duke kërkuar uljen e tyre në atë masë që lejon ligji.