Luis Hasa po përpiqet të mbërrjë lavdinë personale dhe të shkruajë me të arta mbiemrin e tij në historinë e futbollit, një mbiemër i një familjeje nga Peqini, që ashtu si shumë bashkëkombës emigruan në Itali në 1993- shin, aty ku 11 vite më vonë lindi Luisi.
Pakkush e parashikonte në vitet e para të jetës së tij se sot do të kishte mundësinë të shpallej kampion Europe me fanellën e “axurrëve” U-19, por ai dhe familja e tij e kanë shpresuar ndoshta që në moshën 6-vjeçare, kur në fushën pranë shtëpisë u pikas nga një zbulues talentesh dhe më shumë akoma prej moshës 7- vjeçare kur veshi për herë të parë fanellën e Juventusit, që vazhdon të jetë edhe sot lëkura e tij e dytë. Në shansin e artë që ka sot për të triumfuar në Europian, një kontribut të paçmueshëm ka vetë ai, pasi ishte protagonist me dy asiste në gjysmëfinalen ndaj Spanjës, të përfunduar 2-3. Të dielën në orën 21:00 përballë Portugalisë, djaloshi me origjinë nga Peqini do të ketë rreth qafës së tij një medalje, që pritet të mos jetë kulmi, por vetëm pikënisja e tij në rrugëtimin që e pret.
Te Juventusi shpresojnë që te Hasa të kenë një tjetër Fabio Mireti, një talent të prodhuar në shtëpi, mbi të gjitha falë zbuluesit Marko Burbelo, që e pa në fushën pranë shtëpisë kur ishte 7 vjeç dhe telefonoi Juven. “Në atë kohë unë isha vëzhgues për Juventusin. Pashë një grup fëmijësh duke luajtur, duke goditur portën dhe duke u stërvitur dhe u godita menjëherë nga cilësitë dhe talenti i Luisit. Kishte cilësi teknike natyrale jashtë të zakonshmes, godiste me fuqi, saktësi dhe thjeshtësi. Shumë forcë në këmbë dhe lehtësi në kapërcimin e kundërshtarit. Të gjitha aftësi dhe karakteristika që askush nuk mund t’i mësojë dhe veçanërisht në atë moshë, kur shprehen natyrshëm. Telefonova menjëherë bardhezinjtë dhe që atëherë ai është pjesë e Primaveras. Një djalë fanatstik, ashtu si gjithë familja e tij. Ata janë vërtet njerëz të veçantë, të përulur, që mbështesin dhe e kanë mbështetur Luisin në çdo gjë, por duke ruajtur gjithmonë sensin e realitetit dhe duke qëndruar me këmbë në tokë. Jam shumë i lumtur që e shoh Luisin të vazhdojë rrugëtimin e tij, ne flasim shpesh. Është një djalë që ka bërë sakrifica të mëdha që në moshën 7- vjeçare”, rrëfeu para pak muajsh zbuluesi.
