Seanca e fundit e këtij sesioni që nisi të enjten në orën 10:00 të mëngjesit dhe përfundoi në orët e para të mëngjesit të kësaj të premteje, pas diskutimeve të gjata në fund miratoi projektligjin që detyron studentët e mjekësisë që të punojnë 5 vite pas mbarimit të ciklit 6 vjeçar, që të marrin diplomën. Kuvendi e miratoi këtë projektligj që ka kundër një pjesë të studentëve me 71 vota pro, 23 kundër dhe asnjë abstenim.
Kjo nismë e qeverisë për frenimin e ikjes së studentëve nga vendi i tyre, solli pakënaqësi tek mjekët e rinj, të cilët akuzuan qeverinë se po i kthen pas në kohën e komunizmit. Në të njëjtën linjë qe edhe opozita, të cilët përsëritën se nisma është antikushtetuese. Mbrëmë ministrja e Arsimit dhe e Sporteve, Evis Kushi nga seanca plenare në Kuvend tha se projektligji për studentët e Mjekësisë që pas 5 viteve punë do marrin diplomën, nuk është anti-kushtetues.
”Dua ta theksoj, ligji nuk është antikushtetues. Nuk detyron askënd, u jep mundësi që studentët të zgjedhin. Marrëveshjen e shkruajnë ata që e ndjejnë, që pas diplomimit të punojnë në Shqipëri. Thelbi është të mbështesim më shumë ata që qëndrojnë në Shqipëri. Ligji jo vetëm që s’është antikushtetues, por është mekanizëm që ne të përmendim detyrimin kushtetues për të plotësuar nevojat për mjekë dhe specialistë. Të plotësojmë nevojat për burime njerëzore. Shërbimi që marrin sot qytetarët është shumë herë më i mirë nga ai çfarë bëhej para shumë vitesh, por gjithashtu e vërtetë që kemi ende punë për të bërë. Fenomeni i largimit të mjekëve është realitet jo vetëm për Shqipërinë por edhe për rajonin e vendet e BE. Janë 1200 mjekë që janë diplomuar në Shqipëri por që punojnë në institucione shëndetësore të BE apo të OECD. Pra është 20%. Për çdo 10 studentë që diplomohen, 2 prej tyre largohen”,-tha Kushi.
Ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu tha se në këtë kohë përballjeje me fenomenin e ikjes së mjekëve, është mëse e natyrshme që qeveria të marrë masa.
”Detyra jonë është të kujdesemi për shqiptarët. Në këtë luftë për burime njerëzore, sigurisht do të ndërtojmë instrumentet tanë, që nuk është fare antikushtetuese. Sepse këtë bën shteti, lehtëson profesionistët dhe u jep atyre punë. Ne rritëm pagat për sistemin shëndetësore. Plani ecën në shumë drejtime, s’është në një. Kemi rritur kuotat në mjekësi, të kemi më shumë mjekë që specializohen në specialitete të veçanta”,-tha Manastirliu.
Opozita bëri një tentativë për të futur studentët e Mjekësisë brenda Parlamentit, ashtu siç ata kërkonin. Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi iu drejtua kryeparlamentares Nikolla duke i thënë se ka bazë në rregullore që studentët e Mjekësisë të futen në sallë, gjë që nuk u pranua nga drejtuesja e seancës me argumentin se studentët kanë qenë pjesë e Komisioneve Parlamentare. Duhet theksuar se Studentët e Mjekësisë kanë paralajmëruar bojkot të procesit mësimor nëse ligji miratohet në Kuvend, ata janë shprehur se do të vijojnë protestat deri në fund.
