Partizani bën një arritje historike duke shkuar në fazën Play-Off të Conference League, teksa mposhtën mbrëmë në “Elbasan Arena” me shifrat 1-0 Valmierën. Partizani shkon në Play-Off të Conference League, aty ku do të përballet me skuadrën nga Kazakstani, Astana.
Presidenti i FSHF, Armand Duka ka qenë i pari që ka uruar skuadrën e Partizanit. “Urimet më të mira Partizanit për kualifikimin në fazën play-off të UEFA Conference League! Tani duhet edhe një sforco e fundit, dy finale të vërteta për të regjistruar një arritje historike, kalimin në fazën e grupeve të këtij kompeticioni. Një objektiv plotësisht i mundshëm, por që kërkon përqendrim e impenjim maksimal si edhe sakrificë nga të gjithë lojtarët e stafi. Forca Partizani”.
Pas triumfit në transfertën letoneze me shifrat 1-2, skuadra e trajnerit Zoran Zekic ishte sërish superiore. Kampionët e Shqipërisë arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 21-të, Tedi Cara realizoi nga pika e bardhë e penalltisë. Arinaldo Rrapaj ai që fitoi faullin pas një kontakti në zonë dhe sulmuesi Cara konfirmoi formën në këtë fillim të sezonit. Partizani provoi sërish me Carën, Gjelbrim Taipin dhe Grezdën, por rezultati nuk ndryshoi.
