Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Liqeni” ku sekuestroi një sasi prej 204 kg marijuanë në një makinë Land Rover.
Në flagrancë u arrestua një person ndërsa u shpall në kërkim një tjetër. “Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi: M. K. 33 vjeç në banues në fshatin Shtoj i Ri, Shkodër, si dhe u shpall në kërkim shtetasi D. B, 35 vjeç, banues në Shkodër”, thotë policia.
Policia kishte nisur në lidhje me një grup kriminal që kryenin organizimin, financimin, transportin dhe trafikimin e lëndëve narkotike (Marijuanë) nga qyteti i Shkodrës në drejtim të Malit të Zi, përmes liqenit të Shkodrës. Në orët e para të mëngjesit të sotëm është marrë informacion se dy shtetas po tentonin të trafikonin një sasi të konsiderueshme lënde narkotike. Mbi bazën e këtyre informacioneve është zhvilluar operacioni i koduar “Liqeni”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 204 kg Marijuanë, 2 mjete një tip Land Rover dhe një mjet tip Mercedes Benz , 4 telefona celularë, si dhe mjete që i përdornin për paketim e lëndës narkotike.
Operacioni vijon për kapjen e shtetasit D.B.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon hetimet për identifikimin dhe kapjen e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë aktivitet kriminal. Materialet proceduriale i kalojnë Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, pasi dyshohet për veprat penale të “Trafikimit të narkotikëve“ kryer në bashkëpunim e mbetur në tentativë” dhe “Prodhimit e shitjes së narkotikëve kryer në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 283/a/2 -22 dhe 283/2 të Kodit Penal.
