Sali Berisha refuzon për të firmosur procesverbalin e policisë për njohjen me masën e sigurisë, por Gjykata e Posaçme ka caktuar ditën e sotme për ta marrë në pyetje, si person në hetim për akuzën korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë, sa i takon çështjes së privatizimit të kompleksit sportiv Partizani.
Seanca pritet të zhvillohet sot në orën 14:00, ku një ditë më parë GJKKO vendosi të lërë në burg Jamarbër Malltezin, dhëndrin e Sali Berishës, si edhe detyrim paraqitjeje për ndërtuesin Fatmir Bektashi.
Ndaj ish-kryeministrit Sali Berisha janë vendosur masat e sigurisë ‘detyrim paraqitjeje’ dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”. Berisha, si edhe avokati i tij Genc Gjoktuaj thotë se kjo procedurë është e jashtëligjshme dhe se është shkelur Kushtetuta nga SPAK. Policia e Shtetit ka tentuar mbrëmjen e kaluar, por edhe të shtunën, që ta njoftojë ish-kryeministrin me masën e sigurisë, por Berisha i ka shmangur.
Sali Berisha thotë se nuk do të shkojë në asnjë seancë në Gjykatë, për sa kohë ai thotë se është shkelur Kushtetuta. Berisha tha se nuk e njeh vendimin e gjykatës që i ka caktuar masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Në një intervistë për ”Euronews Albania”, ish-kryeministri deklaroi se nuk mund të bëjë asnjë veprim që bie ndesh me Kushtetutën.
”Unë kam deklaruar se mbështes çdo akt të zbatimit të ligjit nga kushdo, por kur them këtë, unë nuk mund të pranoj kurrë shkelmim të Kushtetutës. Sali Berisha në vitin 2012 ka dërguar në Parlament amandamentet kushtetuese për heqjen e çdo lloj kufizimi të veprimit të organeve të drejtësisë përballë deputetit, çdo lloj kufizimi, pra me një fjalë tjetër pse e kam bërë këtë? Sepse kam dashur që në Kushtetutë të jenë të gjithë të barabartë para saj”,-tha Berisha.
Sipas Berishës, SPAK-u, ose siç e quan ai SKAP, ka zbatuar urdhrat e Ramës sepse e njeh atë mbi Kushtetutën, sidoqoftë nëse procesi kalon në parlament, Berisha thotë se nuk do të refuzojë të bëjë gjithçka kërkon ligji dhe Kushtetuta.
