Gazetari Poli Hoxha, duke folur për akuzat e SPAK ndaj Sali Berishës, u shpreh se hetimet treguan që ish-kryeministri ka shkelur besimin e qytetarëve dhe se ka përdorur pushtetin për pasurimin e familjes.
I ftuar në “Dritare TV”, gazetari tha se Berisha mund të zgjedhë që hetimet e SPAK t’i shmangë përmes mbrojtjes së avokatëve ose të kërkojë azil politik.
“Nuk ka më alibi, nëse je caktuar në krye të shtetit për t’i mbrojtur dardhat e vendit, do mbash përgjegjësi. Aq më tepër kur ndryshon VKM, pasi kjo përkthehet në pasuri për familjen. Është proces i kthjellimit të turbullirës, që nuk kuptohet ku është propaganda, kohë historike. Është ngjarje e madhe, përtej Berishës. Kemi mazhorancën që hesht, jam i sigurt se pas familjarëve më i mërzitur është Rama. Edhe opozita, grupi Bardhi-Berisha që nuk njeh sistemin, gjykata, SPAK dhe parlament. E vetmja rrugë që ka është që të godasë nëpërmjet avokatëve, nëse del i pafajshëm do të jetë më i fuqishëm. Ose të bëhet ilegal, si person që thotë se është diktaturë e lufton me revolucion. Ose të kërkojë azil politik, pasi thotë se është proces politik. Këto janë rrugët e Berishës, të tjerat janë përpëlitje.”
Ai deklaroi se Ilir Meta ashtu si Sali Berisha, do të përfshihet në hetimet e SPAK për korrupsion.
“LSI është SHPK, është një lëvizje që ekziston lideri pa ekziston edhe ajo. Në momentin që liderit i fillojnë problemet penale, bie në letargji. Kur është në pushtet fryhet, shkon 250 mijë vota, kur nuk është në pushtet thahet. Në këtë kuptim nuk e shoh fare, Ilir Metën e shoh si pjesë të kësaj që po ndodh me Berishën. E pres, të ndodhë si me Metën, ashtu dhe Ramën, kolonave të këtij tranzicioni. E kanë gatuar vetë fatin e tyre, jo ne. Na kanë vjedhur. Prej demokracisë mendonim se do të hynim në BE dhe kaluan 32 vite dhe ende nuk ka shpresë.”
