Sherri dhe kaosi në seancat plenare në Parlamentin e Shqipërisë do të jetë nga ana e grupit të Rithemelimit dhe të Gazment Bardhit, derisa të plotësohen 3 kushtet që ata kanë. Kërkesën e parë kreu i grupit parlamentar të PD-së, Bardhi e ka për kryeparlamentaren Lindita Nikolla.
“Së pari duhet të ndërpresë provokimin e opozitës. Letrat që lexon, lexon ca paçavure. I thashë të kanë shndërruar në një specialiste arkivë kontrolli të një partie të caktuar politike. Nuk favorizon asgjë se nuk ka mundësi të favorizojë, nxit mbajtjen zvarrë të 50 deputetëve të opozitës duke lexuar letra që as ajo vetë nuk i njeh”, u shpreh ai.
Së dyti që të pranohet propozimi i opozitës për caktuar përfaqësuesit e saj në Komisionin e Reformës Zgjedhore. “Së dyti të pranohet propozimi i opozitës, të caktojë ajo kush duhet të jetë në komisionin e reformës zgjedhore. Një kolegia juaj, ka qenë e imja deri dje, sot drejton një emision televiziv, është anëtare e komisionit të reformës zgjedhore”, u shpreh ai.
Së treti, ka të bëjë me ngritjen e disa komisioneve hetimore. “E treta janë tre komisionet hetimore që kanë të bëjnë me interesin publik. Ka një shqetësim të ambasadës së SHBA për çështjen e TIMS, kërkojmë të hetohet rrjedhja apo ndërhyrja në të dhënat personale të qytetarëve. Çështja e dytë ka të bëjë me 4 kontratat koncesionare në shëndetësi. A ka problem me këto kontrata? A janë abuzuar paratë publike? E treta ka të bëjë me vendimmarrjet në kushtet e konfliktit të interesit. Sot qeveria është shndërruar në një organizatë që i jep favore njëri-tjetrit”, u shpreh Bardhi.
Siç edhe pritej, seanca plenare e së hënës në Kuvendin e Shqipërisë nisi me tensione dhe u mbyll pas 50 minutash nga nisja e saj, kjo pasi deputetët e PD-së zaptuan foltoren. Ata me pas u shpërndanë në sallë duke mos lejuar kolegët e PS-së që të flisnin, pasi u fiknin mikrofonat. Por në një moment në nisje të seancës, deputeti i PD-së Bledion Nallbati shkoi pranë deputetit të PS-së, Vullnet Sina për ti mbyllur mikrofonin pasi po fliste dhe mes tyre ka pasur një përplasje fizike. Kërciti grushti në sallë dhe live.
