“Apostulli” është libri biografik i Ilir Konomit për Fan Nolin. Libri trajton një pjesë të jetës së shkrimtarit shqiptar nga viti 1906 kur ai shkoi në SHBA e deri në vitin 1920. Në një intervistë për “Opinion”, Konomi thotë se Fan Noli lindi në Ibriktepe, një tokë bizantine që iu vendos në dispozicion të rekrutuarve nga Kolonja.
Ata ruajtën gjuhën, zakonet dhe identitetin shqiptar, ndonëse në disa enciklopedi greke kjo nuk pranohet. Megjithatë Noli thotë se nëna e tij nuk dinte asnjë fjalë greqisht. Vetë shkrimtari ishte një poliglot i vërtetë, i cili fliste një numër të konsiderueshëm gjuhësh të huaja.
Blendi Fevziu: Është e vërtetë ajo historia e famshme që Nolin e çuan ditën e parë të shkollës të mbyllur në një thes?
Ilir Konomi: Sipas Nolit është e vërtetë. Noli ka një spicë autobiografie e ka quajtur, që e ka përfshirë në librin për 50-vjetorin e kishës, botuar më 1958-’59 dhe ai aty përshkruan se si nëna e tij, sepse ky nuk donte të shkonte në shkollë, ishte bërë 8 vjeç, kishte qenë i sëmurë, shkoi relativisht vonë, më i madh se sa duhej dhe kështu e shpjegon ai faktin që e ruajti atë shqipen, nuk u greqizua si pjesa tjetër.
Blendi Fevziu: Sa gjuhë fliste Noli?
Ilir Konomi: Në një vend ai thotë që flas 9 gjuhë në një nga raportet për Harvardin, në një nga aplikimet për Harvardin, por pastaj na del që ky fliste edhe norvegjishten, dinte edhe norvegjishten.
Blendi Fevziu: Ku e mësoi norvegjishten?
Ilir Konomi: Është e çuditshme, thotë që e kam mësuar nga gjuhët gjermanike sepse ai dinte gjermanisht dhe është e ngjashme me gjermanishten thoshte dhe i është futur dhe e ka mësuar. Më vonë në jetën e tij ai ka mëuar edhe gjuhë të tjera, ka mësuar persishten për shembull. Në fund të jetës është përpjekur të mësojë aramaishten.
Blendi Fevziu: Ishte një lloj poligloti plotësisht autodidakt.
Ilir Konomi: E vërtetë është.