16 anëtarë të një bande rrezikojnë deri në pesë vjet burg secili në gjykatën e Bruges në Belgjikë. Sipas gjykatës, ata kanë shitur të paktën 985 kilogramë kokainë, me vlerë 29 milionë euro. Figura kyçe është një 29-vjeçar shqiptar banues në Ostendi. Në gjyq janë edhe prindërit dhe dy vëllezërit e tij. “Ata dukeshin si një familje e rregullt në Ostend”,-tha prokurori.
Duke qenë se bisedat e përgjuara tregonin se një situatë rrëmbimi apo pengmarrjeje ishte e pashmangshme, gjykata vendosi të ndërhynte më 14 shkurt 2023. A.B deklaroi se transportonte deri në 200 kilogramë kokainë në të njëjtën kohë për një klient të panjohur. Ai gjithashtu shkonte rregullisht në Antwerp, ku banda vepronte nga katër prona me qira. Gjatë kontrollit në shtëpi u gjetën armë zjarri të gatshme për qitje. Por ndërhyrja e hershme pengoi identifikimin e drejtuesve të bandës.
Banda përdorte persona të parë për të marrë me qira prona. Jo vetëm në Antëerp, por edhe në Damme. E dashura e figurës kryesore mori me qira një shtëpi pushimi atje. Dyshja dyshohet se do të kalonte pushimet atje. Por në realitet banda dyshohet se ruante kokainë atje për dy muaj.
Të hënën prokurori kërkoi dënim efektiv me pesë vite burg për A. B. Vëllezërit dhe prindërit e tij rrezikojnë respektivisht dy dhe tre vjet burg. Për 11 të pandehur të tjerë u kërkuan dënime me pesë vjet burg. Po ashtu, prokurori ka kërkuar edhe konfiskimin e gati 29 milionë eurove. Mbrojtja nuk do të dëgjohet deri më 8 janar.
