Media e lirë luan rol kyç në garantimin e llogaridhënies dhe mirëqeverisjes dhe praktika e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejt për drejtë veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalet.
Ka qenë ky mesazhi i kreut të shtetit Ilir Meta në Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit.
“Dita Ndërkombëtare e Lirisë së Shtypit e gjen sot Shqipërinë të renditur ndër vendet me liri të pjesshme të medias. Shqetësimet e thella të ngritura në raportet e fundit të “Freedom House” dhe “Reporterëve pa kufij”, për fatin e keq, vijojnë të hasin në vesh të shurdhët. Shtypi ynë sot, edhe sipas këtyre organizatave, është më pak i lirë dhe i pavarur, mediat goditen nga retorika agresive dhe kërcënuese, rastet e dhunës ndaj gazetarëve janë shpeshtuar dhe tentativat për të përdorur fondet publike për të kontrolluar lirinë e shprehjes janë alarmante”, thotë kreu i shtetit.
Meta thotë se kjo situatë duhet të marrë fund. “Media e lirë luan rol kyç për të garantuar llogaridhënien dhe mirëqeverisjen. Praktikat e mohimit të së drejtës së gazetarëve për të ndjekur drejtpërdrejt veprimtarinë e autoriteteve publike duhet të ndalen. Sepse çdo goditje ndaj institucionit të medias, është sulm ndaj demokracisë”, shprehet Presidenti në mesazhin e tij në Facebook.
Duke i uruar gazetarët ata i fton të “unifikoheni në qëndrime, larg autocensurës, të denonconi hapur dhunën, shantazhin e presionet, gjuhën e urrejtjes e frikësimit, por dhe kushtet e papërshtatshme të punës”.
“Ndryshimi është në dorën tuaj dhe fillon nga përhapja e informacionit të vërtetë, pa pritur më që lirinë e shprehjes t’ua servirë politika apo grupet e saj klienteliste. Të dashur gazetarë që keni vendosur të mos tradhëtoni profesionin e misionin tuaj, jam pranë jush dhe sakrificave që bëni për të mbrojtur dinjitetin tuaj dhe fjalën e lirë! Ju do triumfoni sepse shqiptarët s’mund të kthehen 30 vite pas për të ndjekur Zërin e Amerikës apo Deutsche Ëelle-n, që të kuptojnë se çfarë ndodh në atdheun e tyre”, përfundon mesazhi i Metës.
