Prezantimin e trajnerit të ri Klevis Hima para futbollistëve burrelas e bëri sot pasdite administratori Marjan Lleshi.
Ai tha se Hima vjen në krye të pankinës së Burrelit pas një përvoje të vyer me klubin e Laçit. Lleshaj u tha futbollistëve se skuadra e Burrelit nuk është e individëve të veçantë, por e qytetarëve matjanë.
Duke folur për herë të parë si trajner i Burrelit, Klevis Hima tha se duhet angazhim dhe seriozitet i çdo lojtari. Ai këmbënguli në zhvillimin e një stërvitjeje cilësore dhe rritjen e disiplinës. Hima shtoi se Burreli tre javë më parë mundi Flamurtarin, një javë më pas fitoi në transfertë me Beratin.
“Parë në këtë këndvështrim, Burreli ka futbollistë cilësorë dhe ato duhet të bëjnë më të mirën e mundshme për këtë qytet”, tha ai.
Këtë të mërkurë matjanët presin në “Liri Ballabani” Bylisin që mban vendin e parë.
