Kryeministri Edi Rama bashkë me ministrin Ervin Mete po zhvillon një konferencë shtypi me gazetarët, ku po flet për Samitin e djeshëm në Bruksel mes BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor. Ai tha se vendet anëtare kanë një vlerësim pozitiv për progresin e Shqipërisë.
”Si kurrë më parë Ballkani Perëndimor është dëgjuar dhe kemi fituar një respekt që nuk e kemi pasur kurrë. Ma ha mendja që ndoshta dy presidentët aktualë e kanë vizituar rajonin e Shqipërinë më shumë se presidentët e tjerë të BE-së”,-tha Rama.
Ai tha se ka vlerësime maksimale për skuadrën kombëtare për negociatat. “U diskutuan perspektivat tona për në BE. U fol për procesin e normalizimit mes Serbisë dhe Kosovës, për nevojën e linjëzimit të Ballkanit Perëndimor dhe BE. Më vjen mirë që të ndaj sot me ju faktin se vendet anëtare kanë një vlerësim shumë pozitiv për progresin e Shqipërisë.
Posaçërisht nga BE vlerësohet me nota pozitive performanca e skuadrës tonë kombëtare për negociatat për përmbushjen e skanimit të procedurave dhe tregjeve tona. Këto ditë do të organizoj dhe një takim falënderimi për anëtarët e kësaj skuadre. Kemi fituar një respekt që s’e kemi pasur kurrë”, tha Rama.
