Shqipëria ka nënshkruar këtë të premte, 23 tetor, marrëveshjen zyrtare me Bordin e Paqes për pjesëmarrjen në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit (ISF) në Gaza.
Ceremonia u zhvillua në mjediset e Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Shqipërisë.
Marrëveshja u firmos nga Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura, Arben Kingji, dhe komandanti i ISF-së, Jasper Jeffers.
Në ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, dhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, Eric Wendt.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Nufi thekson se Shqipëria, si anëtare themeluese e Bordit të Paqes, riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për paqe dhe siguri.
“Shqipëria riafirmon angazhimin e saj për të kontribuar në përpjekjet ndërkombëtare për vendosjen e paqes, garantimin e sigurisë dhe krijimin e kushteve për një stabilitet të qëndrueshëm në Gaza”, shkruan ai, krahas fotove.
