Këtë të hënë rinis procesi i Vetting-ut në Policinë e Shtetit. Duke nisur nga sot, datë 18 dhjetor ora 09:00, do të nisin seancat publike me subjektet e vlerësimit kalimtar, të cilat që pas ndryshimeve të fundit ligjore, kryhen nga Trupa e Vlerësimit që është ngritur pranë Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore.
Ministria e Brendshme bën me dije se janë 3 drejtues të lartë të Policisë dhe AMP që do të përballen me gjetjet e Trupës Vlerësuese. Një prej tyre do të jetë Edmond Sulaj, me funksion Drejtor i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në Policinë e Shtetit. Trupa e Vlerësimit: Arben Sefaj, kryesues, Denisa Sina, relatorë dhe Suela Bulku, anëtare.
Sulaj më herët ai ka mbajtur detyrën e drejtuesit në Drejtorisë kundër Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtori të Përgjithshme, apo drejtues në disa qarqe. Sulaj do të japë shpjegime në tre shtylla hetimi, pasuri, aftësi profesionale dhe pastërti figure. Salla është vendosur të jetë ajo e konferencave në Ministrinë e Brendshme, për shkak të hapësirës së mjaftueshme për komisionin, subjektet, publikun dhe median.
