Ndeshje për ata me zemër të fortë. Kështu rezultoi sfida e “Arechi”, aty ku Juventusi fitoi 1-2 me përmbysje në udhëtim kundër Salernitanës për javën e 19-të në Serie A. Edhe pse me një lojtar më shumë për 37 minuta, “Zonja” nuk e pati të lehtë përballë djemve të Pippo Inzaghit.
Bardhezinjtë e panë veten në disavantazh pas minutës së 39-të, kur Maggiore shënoi një gol të bukur me të majtën. Po i njëjti do ishte “engjëll dhe djall” për Salernitanën, pasi në minutën e 53-të la të tijtë me një lojtar më pak pas dy kartonave të verdhë. Illing Junior në të 65 minutë barazoi gjithçka pas asistit të Vlahovic.
Serbi i bardhezinjve do ishte hero në këtë takim, pasi pas asistit gjeti edhe golin e fitores dhe tri pikëve për të tijtë. Në minutën 90+1, shtatëlarti përfitoi nga krosimi i Danilos dhe me kokë mposhti Costil në portë.
Kështu, Juventusi me 46 pikë ndodhet sërish në vendin e dytë, vetëm dy pikë pas Interit kryesues, duke ndjekur këmba-këmbës zikaltërit, në një garë të ethshme për kreun e Serie A. Nga ana tjetër, Salernitana me vetëm 12 pikë dhe dy fitore në 19 ndeshje mban pozitën e fundit në klasifikim.