Futbolli elitar në Itali është rikthyer me javën e 20-të. Genoa dhe Torino u ndanë në paqe duke barazuar 0-0, ndërsa Napoli fitoi 2-1 me Salernitanën. Ishte goli i Amir Rrahmanit në limitet e sfidës që i dha tri pikë të tijve me përmbysje.
Në “Diego Maradona”, Napoli fitoi 2-1 me përmbysje kundër Salernitanës për javën e 20-të në Serie A. Dueli ishte me emocione, penallti, kartona dhe gola. Gara e fortë sportive nisi që në pjesën e parë, me Candrevën që befasoi vendasit dhe shënoi golin e parë në të 29 minutë. Anësori i miqve dhuroi spektakël për një gol të jashtëzakonshëm. Fundi i pjesës së parë solli edhe barazimin nga Politano, që nuk gaboi nga penalltia. Mazzarri bëri disa zëvendësime në pjesën e dytë, megjithatë goli i tri pikëve erdhi vetëm në minutën 90+6 nga Amir Rrahmani. Kapiteni i Kosovës përfitoi nga një rrëmujë në zonë dhe me të djathtën ndali sferën në rrjetë, për të nisur festën e 50 mijë tifozëve në stadium.