Rasti i prokurori Spartak Çoçoli i Gjirokastrës, i marrë fillimisht në pyetje në janar të këtij viti nën dyshimet për korrupsion dhe i lënë nga gjykata me masë sigurimi “detyrim paraqitjeje”, u identifikua si pjesë e hetimeve mbi një organizatë të madhe të trafikut ndërkombëtar të drogës, bëri të ditur policia të martën më 7 maj.
Policia shqiptare njoftoi përfundimin e një operacioni dhjetëmujor, që solli ndalimin e 14 personave në qytete të ndryshme të vendit dhe u sekuestrua mbi një ton kanabis e një kilogram heroinë e kokainë. Para përfundimit të operacionit, policia bëri të ditur se hetimet kishin sjellë përgjatë dhjetë muajve të fundit goditjen e rasteve të ndryshme të trafikimit të drogës në Shqipëri dhe Greqi.
“Në kuadër të këtij hetimi u evidentua një rast i dyshuar korrupsioni në sistemin e drejtësisë”, bëri të ditur policia të Martën.
“Në datë 24 janar 2019 u ndaluan shtetasit E. H., banues në Tiranë dhe E. D., banues në Përmet, si dhe u procedua masa e sigurimit personal “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Pezullim i ushtrimit të detyrës publike” i shtetasit S. Ç., banues në Gjirokastër (Prokuror pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër)”, vijon më tej njoftimi. Çoçoli është deklaruar i pafajshëm. / birn
