Policia italiane ka zbardhur vrasjen e veshur me mister të 39-vjeçarit shqiptar Bledar Dedja, i cili më 20 janar u gjet i pajetë pranë makinës së tij. Sipas autoriteteve Dedja është vrarë me thikë nga një 17-vjeçar, me të cilin kishte shkuar për të kryer marrëdhënie seksuale me pagesë në zonën pyjore në Paderno del Grappa të Trevisos.
39-vjeçari u godit të paktën 20 herë me thikë nga adoleshenti, njëra prej të cilave, ajo fatale, ishte marrë nga prapa, duke i shpuar mushkëritë dhe duke i shkaktuar gjakderdhje të madhe.
Policia mëngjesin e së premtes ka vënë në pranga 17-vjeçarin italian, banues në komunën e Pieve del Grappa.
Një jetë e dyfishtë
Dedja, i martuar me dy fëmijë të vegjël, sipas hetuesve ka takuar në vazhdimësi gra dhe të rinj për seks me pagesë. Në celular, hetuesit gjetën elementë që do të përfaqësonin prova të kontaktit mes Bledarit dhe autorit 17-vjeçar.
Të dy kishin komunikuar dhe e kishin lënë që të takoheshin pikërisht në ditën kur Bledari u vra. Djali pasi ka goditur për vdekje 39-vjeçarin, ka hequr qafe çelësat e makinës si dhe thikën me teh të paktën 20 cm të gjatë, të përdorur në krim.
Ai gjithashtu ka zhdukur disa veshje që kishte veshur atë ditë, të cilat ndoshta ishin të lyera me gjak.
