Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, nderoi me certifikata mirënjohjeje për kontributin pranë institucionit, punonjëset në prag pensioni të Bashkisë së Tiranës. Veliaj shprehu falenderimet e tij për punën e palodhur që zonjat kanë bërë për qytetin e Tiranës, ndërsa theksoi se është krenar që skuadra e tij ka më shumë vajza dhe gra.
“Sot morëm një moment për të falenderuar zonjat, koleget tona, të cilat i kanë dedikuar një jetë të tërë modernizimit të Bashkisë së Tiranës. Një modernizim që filloi me Edi Ramën, me skuadrën që drejtoi bashkinë nga 2000 deri në 2011-ën, por që vazhdon edhe sot në Bashkinë e Tiranës. Ajo që ndoshta shumë njerëz nuk e dinë është se, pas një debati, apo një figure politike që drejton bashkinë, është një grup i jashtëzakonshëm grash edhe vajzash, inxhiniere, profesioniste, financiere, llogaritare, që punojnë në audit, në projektim, që janë pjesë e zbatimit të projekteve apo që inspektojnë në terren. Jam pafundësisht mirënjohës që shumë prej këtyre realiteteve të ndryshuara në Tiranë kanë emrin, firmën dhe kontributin tuaj profesional. Këtë e vlerësoj jashtë mase. Nuk besoj se ka gjë më të vështirë sesa të jesh grua dhe nënë sepse të duhet të mbash edhe familjen, edhe të japësh kontribut në shoqëri, por edhe të bësh një punë shumë serioze dhe të vështirë”, nënvizoi Veliaj.
Ai shtoi se kjo nuk është një festë lamtumire, por një festë falënderimi dhe mirënjohjeje për gocat, zonjat, gratë e Bashkisë së Tiranës, që i kanë dhënë kaq shumë qytetit dhe që kanë vendosur një standard edhe për institucionet e tjera.