Ilir Avdullai, po shkëlqen në skenën e picave në Napoli, duke sfiduar vetë napolitanët me shijen e tij të veçantë. Pasi shkoi në Itali për të ndjekur studimet në ekonomi pranë të vëllait, fati e çoi në një drejtim të papritur. Bashkë me të vëllain, ata hapën një restorant në Friuli Venezia Giulia. Kjo e vendosi në krye të një rrugë të re, duke i hapur shtigjet e suksesit në fushën e gastronomisë italiane. Iliri vendosi t’i përkushtohet punës së tij në restorant, duke shfaqur talentin për gatimin dhe duke fituar respektin e klientëve për picat e tij të shkëlqyera. Në këtë mënyrë, ai u bë një pjesë e jetës së komunitetit italian, duke kontribuar në pasurimin e kulturës së tyre gastronomike.
Lexo edhe :
Related Posts
Në një intervistë për “Vendi im” me Edlira Prendin, Ilir Avdullai ka rrëfyen se si nisi kjo aventurë shumë vite më parë dhe sot e ka bërë atë të jetë një emër të njohur kudo në Itali.
“Në Itali unë kam restorant-picerinë time që e drejtoj prej 13 vitesh. Në Itali kam shkuar në vitin 2001, ku kam ndjekur në fillim studimet për ekonomi. Kam hapur me familjen time aktivitetin tonë, por nuk arrija t’i ndiqja të gjitha, më pas u fokusova më tepër në ndjekjen e këtij biznesi familjar. Në fillim edhe pse studioja më tërhoqi shumë fakti se në ato vite kishte një bum vërtet të madh turizmi. Italia në zonën time ishte akoma shumë joshëse për vendet kufitare, austriakët vinin e vizitonin shumë shpesh. Atëherë nuk kisha njohje fare. Si të gjithë shqiptarët, vendi i parë që dilte, shkoja. Për mua ishte komplet e re, nuk ia kisha idenë. Muajt e parë punova dhe falas. Ka pasur dhe kolegë shqiptarë që më kanë ndihmuar, ka një solidarizimi mes shqiptarëve kur jemi jashtë shtetit, ndoshta kur jemi jashtë duhemi pak më tepër se kur jemi brenda. Më pas bashkë me vëllain hapëm restorantin e parë. Ne sot kemi një restorant piceri dhe kemi dhe një piceri tjetër në qytet. Jemi bërë pak një institucion në qytetin ku jetojmë”, thotë ai.
Dikur një nxënës, por i mbushur me plot ëndrra, tashmë Ilir Avdullai u mëson se si të bëjnë picat më të mira në botë shumë të rinjve të tjerë, madje edhe shqiptarëve që duan të perfeksionohen. “Jam afruar në një akademi napolitane në fillim si kursant ku kam ndjekur shumë kurse. Më pas e mbylla formimin profesional duke bërë dhe një master dhe mora të drejtën për të qenë instruktor i akademisë dhe që atëherë akademia më ka caktuar dhe si përfaqësues të saj për Shqipërinë. Sot e kësaj dite vijnë shumë kursantë nga Shqipëria në Akademi ose në lokalin tim ku bëjnë formimin profesional. Kursantët vijnë nga Shqipëria në Itali, mësojnë, marrin eksperiencën dhe të gjithë ato që ju transmetoj unë dhe kthehen në Shqipëri për të hapur piceritë e tyre. Kohët e fundit ka një interes për ta mësuar të gjithë procesin si funksionon dhe afrohen jo vetëm për të mësuar produktin, por dhe mënyrën si prodhohen dhe mënyrën si shitet “alla Napolitane”, mënyrën si e propozojmë këtë produkt. Kohët e fundit dhe pica ka pësuar një revolucion shumë të madh”, shprehet ai.
Një nga momentet më të bukura do të ishte padyshim dhe fitimi i vendit të tretë në Napoli për picën më të mirë, duke sfiduar dhe vetë napoletanët me “artin” e tij.
“Në Napoli fitova çmimin e tretë, por në zonë bëri shumë bujë pasi prezantova produktet e zonës. Të fitosh nga një krahinë veriore dhe të shkosh në Napoli dhe të marrësh një çmim ishte dhe një kënaqësi shumë e madhe dhe për ata si zonë. Pata një falenderim special dhe nga vetë presidenti i Rajonit dhe vetë kryetari i Bashkisë së Qytetit, i cili më dha një certifikatë mirënjohje për prezantimin që i kam bërë qytetit ku unë jetoj në Napoli”, nënvizon Ilir Avdullai.
Po ku ndryshon një italian nga klientët e tjerë? “Në përgjithësi klienti italian është pak i veçantë, një klient që ka lloj lloj kërkesash. Në përgjithësi është shumë kërkues. Në profesionin tonë sidomos kur je në prodhim të duket e bezdishme, por kur ke klientë kërkues, që pretendojnë një farë niveli nga ty, këta të japin shtysë dhe ty për t’u rritur. Synimi jonë përveç Akademisë në bisedimet që kemi bërë është që në radhë të pare të propozojmë dhe një Festival të Picës dhe të tregtojmë dhe gjithë punën e Akademisë dhe të prezantojmë produktin tonë nga afër”, shprehet Ilir Avdullai.