Ministria e Brendshme jep alarmin se dhuna do të përsëritet edhe në protestën e sotme të opozitës. Në një deklaratë urgjente pak para se të fillojë tubimi i opozitës, zv. ministri i Brendshëm Besfort Lamallari. paralajmëron se ligji do të veprojë mbi të gjithë ata që shkelin ligjin. “Ajo për të cilën jemi të shqetësuar është afektimi edhe për disa minuta i qytetarëve, të papërfshirë në tubim, nga gazi lotsjellës.
Dënojmë me ashpërsi aktin e organizatorëve të tubimit të dhunshëm, për devijimin e tij nga Bulevardi drejt zonave të populluara, duke afektuar kështu dhe qytetarë që nuk kishin lidhje me tubimin. Sipas deklaratave mediatike rezulton se organizatorët e dhunës planifikojnë të përsërisin atë edhe sot. Ata që prodhuan, shpërndanë e përdorën bombat molotov dhe lëndët e tjera të rrezikshme mbi forcat e rendit, në mbrëmjen e 11 majit, do të tentojnë të përsërisin të njëjtat akte dhune edhe në manifestimin e sotëm. Ministria e Brendshme dhe Policia e Shtetit u bëjnë thirrje të gjithë qytetarëve, të distancohen nga këto grupime dhe akte kriminale dhe të bashkëpunojnë me organet e rendit”, tha Lamallari.
Ministria e Brendshme dënon ashpër sulmet e rrezikshme për jetën e punonjësve të Policisë së Shtetit gjatë tubimit të dhunshëm të 11 majit.
“Qindra bomba molotov të prodhuara dhe shpërndara sipas një plani kriminal, janë hedhur drejtpërdrejtë, me intensitet të lartë mbi punonjësit e policisë, në krye të detyrës.
Veç bombave molotov, mbi forcat e rendit janë hedhur horizontalisht bateri të tëra me fishekzjarrë të ndaluar të kalibrit të lartë, nga një distancë shumë e afërt.
Megjithatë Policia e Shtetit u tregua profesionale, ashtu si në manifestimet e kaluara, dhe nuk arriti për asnjë moment limitet e reagimit të ligjshëm”, tha zv. ministri Besfort Lamallari.
