I dënuar me 25 vjet heqje lirie për vrasjen e dy fqinjëve të tij, Pashk Ndreca ka rrëfyer për emisionin “Jetë Shqiptare” historinë fatkeqe të tij.
Ai tregon për tragjedinë në familje ku djali tij humbi jetën si pasojë e një infarkti në moshën 28 vjeçare.
“Në 2009 kisha binjakët në Itali, në moshën 28 vjeçare, njërit mi ra infarkt dhe vdiq. Të dy të tjerët u operuan se më thanë që kanë një damar, një qarkullim i zemrës dhe tani janë sakat të dy. Edhe nga ngjarja njeri kaloi në depresion dhe sot e kam të sëmurë te shtëpia. Edhe tjetrin e kam me kemp, pra të dy tani janë më kemp ku marrin nga 100 mijë. Për ta kujdeset gruaja e cila ka dhe vetë probleme shëndetësore”, tha ai.
Ndreca shpreson të lirohet sa më shpejt nga dënimi për t’i ardhur në ndihmë djemve të tij të sëmurë. “Lus Zotin të dal sa më shpejt të kujdesem dhe pë djalin ndoshta për ndonjë shërbim më të mirë”.
Gjatë rrëfimit Ndreca thekson se u ndje i detyruar drejt këtij akti ndërsa thotë se gabimi më i madh që ka bërë është që u largua nga shtëpia pas ngjarjes.
“Në 2008 bëra një vrasje të dhimbshme , por të detyrueshme. Brenda oborrit të shtëpisë , të cilët njerëz të papërgjegjshëm, më erdhën në shtëpi pasi të tillë quhen pasi të vijnë me armë në shtëpi. Por gabimi im ishte që u largova nga shtëpia ime dhe më humbën të gjitha provat. Duhej të kisha qëndruar aty. Mirëpo kisha 2 rrugë, ose të më dëmtonin ose të ikja unë. Zgjodha rrugën për të ikur.
Fqinjët erdhën në shtëpi për një ngatërresë të vogël, por ishin familje me probleme dhe më binin në qafë. Jam penduar pasi jetën njeriut ja merr Zoti, por siç thash ishte vrasje e detyrueshme”, tha Ndreca.
Pashk Ndreca ka kryer 16 vite dënim deri më tani.
