Ka zgjatur rreth një orë e 30 minuta bashkëbisedimi i kryeminsitrit Edi Rama me gazetarët ku foli për zgjedhjet e 30 qershorit, kandidaturat e socialistëve për kryetar bashkish, situatën politike dhe dialogun me opozitën.
Kryeministri Edi Rama në bashkëbisedimin me gazetarët tha se nuk do të negociohet data e zgjedhjeve të 30 qershorit, kjo dhe për faktin se dhe vetë Presidenti zgjodhi një datë që nuk mund të shtyhet. I pyetur për përpjekje nga gjermanët për dialog, ai tha se janë të mirëseardhur por negociata nuk ka.
“Një marrëveshje në 2017 po nuk e negociuam kushtetutën e Shqipërisë. Nuk e pranuam dhe e kam refuzuar që në sekondën e parë e deri në sekondën e fundit shtyrjen e zgjedhjeve përtej afatit kushtetues. Këto nuk shtyhen dot asnjë ditë për shkak se presidenti mes 23 dhe 30 ka zgjedhur 30, e drejta e tij. Pra, zgjedhjet e 30 qershorit do të mbahen më 30 qershor dhe në këtë pikë unë nuk kam asnjë mundësi reale për të fantazuar, sepse është Kushtetuta e Shqipërisë dhe nga ana tjetër unë kam nderin e madh të flas në emër të një shumice që sot është shumicë në Parlament dhe në popull”, tha Rama.
Madje Rama foli dhe për paketa këto ditë. “Do të shikoni shumë paketa këto ditë, paketa që prodhohen këtu për arsye të ndryshme, paketa që prodhohen për tu thënë kryetarëve të bashkive të PD-së që tundimet për tu regjistruar si të pavarur apo me një parti tjetër janë gabim, sepse ndërkohë ka një paketë, paketa për të mbajtur me gajret njerëzit që kanë filluar të firojnë nga manifestime, siç dhe e vini re. Sepse aksionet opozitare të çfarëdolloj e zëvendësojnë qeverinë vetëm nëse kulmojnë në fushata zgjedhore të suksesshme, ndërsa marshimet opozitare me kapsolla vetëm firojnë ata që vijnë prapa kur ti marshon”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama në një dalje për gazetarët ku foli për kandidaturat socialiste për zgjedhjet e 30 qershorit foli dhe për protestën e një dite më parë të opozitës. Ai e quajti një “xhiro në boshllëkun e dëshpërimit të atyre që janë vetëpërjashtuar”, manifestimin e dhunshëm sipas tij një ditë më parë.
“Më impresionon fakti që dje ra numri i bombave molotov dhe ndryshoi formula e goditjes me zjarr mbi institucionet, sepse goditjet e djeshme qoftë mbi drejtorinë e përgjithshme të policisë së shtetit dhe institucionit të parlamentit përsëri rrezikuan jetën e unifromave blu, u krijuan disa plagë për disa prej tyre. Mbi të gjitha ajo e djeshmja ishte një xhiro në boshllëkun e dëshpërimit të atyre që janë vetëpërjashtuar nga zgjedhjet që shkaktoi jo pak shqetësim dhe krijoi jo pak ankth për qytetarët, për banorët, në gjithë trajektoren e marshimit absurd që u zhvillua gjat ditës së djeshme. As me mashtrime nuk zëvendësohet dhe as nuk rrëzohet qeveria, dhe aq më pak bomba moltoov, kapsolla apo fishekzjarre janë një progrma qeverisës apo alternativë qeverisëse. Po sigurisht përbëjnë një mjet për të plagosur fytyrën e Shqipërisë në sytë e botës, dhe për të goditur ekonominë e vendit dhe familjare të të gjihtë atyre që jetojnë në këtë vend”, tha Rama.
Përsa i përket kandidaturave ai tha se janë rikonfirmuar ata që kanë punuar më mirë, dhe ka emra të rinj për ti dhënë hov zhvillimit në disa bashki të tjera. Duke folur për bashkitë, kandidatët e të cilëve janë zgjedhur kur Rama ishte në koalicion me Ilir Metën, ai tha se “i kemi mbështetur ne, po i përkasin një kulture qeverisëse ndryshe nga e jona”.
Durrësi është një nga bashkitë më të madhe të vendit dhe mosrikandimimi i Vangjush Dakos, teksa është përfolur për përgjimet e publikuara në media, përbën lajm më vetë. Por për kryeministri Edi Rama, Dako nuk rezulton të ketë dalë në përgjim.
“Mua nuk më rezulton të ketë dalë në përgjim për Vangjush Dakon, po më rezulton që kanë dalë disa përgjime në thyerje të sekretit hetimor për një grup kriminal dhe përmes atyre përgjimeve ka nja dy referenca mes tyre dhe komunikime që nuk tregojnë asgjë për Vangjush Dakon. Çuditërisht përsëri në mes detyrimit karshi opinionit publik për ti dhënë çdo informacion, sepse nëse del sekreti hetimor kjo nuk është përgjegjësi e gazetarëve, ama detyrimi është për të ndarë qartë spektaklin dhe informacionin”, tha Rama.
Madje, për këtë ai përdori si shembull rastin e Saimir Tahirit. “Më detyroni të kthehem përsëri tek përgjimet që ishin një kazan i madh llafesh mes ca horrave dhe për të cilat u kërkua për 24 orë burgosja e Saimir Tahirit. Po mirë nuk u nxor asnjë mësim nga fakti që gjithë ajo vorbull në raport me personin që u kërkua të futej në burg brenda 24 orësh rezultoi asgjë sipas prokurorisë së antimafias italiane. Një mësim duhet nxjerrë besoj. Ashtu sikundër e ka nxjerrë mësimin jurisprudenca me kohë që nuk e konsideron provë për të dënuar dikë dhe një përgjim direkt ku mund të thuhen të gjitha të zezat prapë duhet provuar, jo më një muhabet në një komunikim telefoni. Thënë këto zëvendësimi qoftë i Vangjush Dakos, qoftë i Qazim Sejdinit në Elbasan jeni të lirë ta besoni ose jo, është kërkesë e tyre prej kohësh. Tre mandate, 12 vjet në krye të dy qyteteve të rëndësishme janë shumë”, tha Rama.
Kandidatura e Agron Malajt për bashkinë e Matit është polemizuar në media këto ditë, si gardist në ngjarjet e 21 janarit, por kryeministri Edi Rama ka sqaruar për herë të parë rolin e Malajt në protestën e 8 viteve më parë.
“E vërteta është që siç thoni dhe ju Agron Malaj ka qenë pjesë e Gardës së Republikës dhe ka qenë pjesë e atij grupi, por është e provuar katërcipërisht jo pjesërisht, po katërcipërisht që nuk ka marrë pjesë në asnjë moment, në asnjë shkelje të ligjit. Dhe ju që merreni me informacionin keni të gjithë të drejtën, po dhe detyrën që përpara se sa t’i vendosni njerëzit në një kornizë shabllone të investigoni këtë. Investigoni për këtë, unë i kam bërë investigimet e mia. Është e vërtetë që është larguar si shumë të tjerë, po nuk është i larguar si shumë të tjerë për të konfirmuar fajësinë morale në këtë rast, se fajësinë penale e jep gjykata, por për t’i dhënë mundësi transparencës për gjithë procesin dhe nga transparenca e gjithë procesit rezulton komplet e kundërta. Kështu që shumë faleminderit më jep mundësinë ta sqaroj dhe këtë se bëhet shumë propagandë”, sqaroi kryeministri Rama.
Ai tha se Malaj ka qenë pjesë e Gardës së Republikës, dhe u lirua nga detyra nga ish ministri Tahiri pikërisht për ti dhënë mundësinë e transparencës për gjithë procesin për 21 janarin.
“Në cilën sferë të imagjinatës mund të shkoja unë, apo të shkonim ne për të vendosur, për të pranuar njëherë në rradhë të parë, në lidershipin lokal të PS një person që do të ishte faktor qoftë dhe moralisht në 21 janar,. Jo. E kudnërta është evërtetë. Ka qenë ndër ata njerëz që kanë informuar imtësisht për 21 janarin. Që ta dini dhe këtë. Kështu që jam shumë i qetë në këtë drejtim, sepse nuk ka asgjë këtu. Nuk është se gjithë dynjaja që erdhi këtu dhe në protestën e të shtunës, nuk janë të gjithë ata që vijnë njerëz që janë fajtorë? S’mund të them kurrë që një pjesë e atyre që ishin dhe këtu përpara kryeministrisë, kur hidheshin bomba molotov janë huliganë. Jo nuk janë. Huliganë janë ata që bëjnë sjellje huligani”, tha ai.
Rama shtoi më tej se nuk janë të gjithë njësoj, duke bërë paralelizëm të protestës së socialistëve më 21 janar dhe protestave sot. Po të ishim të gjithë njësoj tha Rama, sot do të kishte një marshim funebër. “Po të ishim të gjithë njësoj sot këtu do të ishte duke u bërë një marshim funebër para kryeministrisë, jo konferencë, po marshim për të vrarë. Nuk jemi të gjithë njësoj, se po të ishim të gjithë njësoj në spitale e shpija do të kishte mbi 40 të plagosur me arëm zjarri nga dita e shtunë. Po të ishim të gjithë njësoj do të ishte mbi 150 persona të dëmtuar fizikisht nga policia. Dhe fakti që nuk jemi njësoj tregohet edhe kur për tre shkopinj gome mbi shpinën e Sahit Dollapit bëhet nami. Bëhet nami sepse nga ne pritet të jemi gjithmonë më mirë se sa jemi, kurse nga ata thuaj faleminderit me kaq se mund të kishin vrarë dhe 15 veta. Po të ishim njësoj do ishim në të njëjtën situatë që ishim mbas 21 janarit”, tha më tej kryeministri.
