Kryetari i Bashkisë Mat, njëherësh President i ekipit të Burrelit, Agron Malaj, ju ka besuar drejtimin e këtij ekipi. Si ndiheni nga ky vlerësim, që është njëherësh një sfidë personale e juaja?
“Padyshim që për mua është një vlerësim jashtëzakonisht i madh që më është bërë nga ana e kryetarit por dhe president i ekipit z. Agron Malaj, të cilin e falenderoj shumë për besimin e dhënë. Por për mua njëherësh është një sfidë, sepse është eksperienca e parë si kryetrajner, por që nuk më tremb, sepse të gjitha njohuritë e mija personale që kam marrë nga futbolli në gjithë këto vite të luajtura, do ti shkrij tek kjo eksperiencë e re dhe besoj se do të le gjurmë”.
Sa e njihni paraprakisht ekipin e Burrelit, dhe cila do të jetë filozofia juaj e trajningut të këtij ekipi?
“Ekipin e Burrelit e njoh, sepse vjet sidomos ndaj Flamurtarit kanë bërë paraqitje jashtëzakonisht shumë të mirë dhe më kanë lënë shije shumë të mirë. Është një ekip që luan shumë mirë me topin, ka lojtar teknik.
Është ekip shumë i fortë sidomos në fushën e vet. Filozofia e trajningut tim, që do të mundohem të injektoj, do të jetë lufta e fortë sportive, që të jemi ekip agresiv, të luftojmë për çdo top dhe të jemi shumë fanatik, në zbatimin e detyrave që do të jepen para çdo takimi”.
Në dy edicionet e fundit Burreli ka rrezikuar rënjen nga kategoria, çfarë pritet të ndryshoni këtë edicion dhe cilat janë objektivat?
“Është e vërtetë që Burreli dy sezonet e fundit ka rrezikuar të zbresë më poshtë. Dhe këtë e kemi trajtuar edhe në bisedën që kam pasur me Presidentin e ekipit. Kjo ka qenë pak a shumë edhe sfida ime, sepse duam të bëjmë diçka më mirë këtë sezon, që të jemi tek gjashtë ekipet më të mira dhe të mund të shkojmë tek zona e Play-off, për të provuar dhe synuar pse jo edhe ne, për të kapur atë finalen e madhe me një ekip të superligës, për të synuar ngjitjen në këtë ligë.
Ky është objektivi jonë, që të jemi mes gjashtëshes më të mirë dhe të lëmë një shijë jashtëzakonisht shumë të mirë në këtë sezon”.
Sezonin e kaluar, Burreli ka patur të federuar më shumë se çdo ekip tjetër lojtarë të huaj, (gati gjysma e ekipit), të cilët nuk u shfaqën në pritshmëritë e duhura, cili do të jetë “fati” i tyre këtë sezon?
“Është e vërtetë që Burreli sezonin e shkuar ka patur shumë lojtar të huaj. Personalisht mendoj dhe jam partizan i futbollistave shqiptar, duke parë që kategoria e parë ka një specifikë tjetër, duhet të jesh njohës shumë i mirë i saj.
Në bazë të informacioneve dhe të asaj që unë kam parë tek Burreli, nga lojtarët e huaj që më kanë lënë shije shumë të mirë janë Xhoel dhe Moriel, të cilët janë futbollistë shumë cilësor dhe që kanë mentalitet fituesi, dhe shumë profesionist.
Ndërsa sa i përket pjesës tjetër të futbollistëve të huaj, kanë patur shumë oshilacione. Mendoj që 90% e ekipit të jetë produkt vendas dhe lojtarët e huaj, siç e kam deklaruar edhe në intervistat e tjera, do të jenë me pikatore me kushtin që të bëjnë diferencën”.
Sa dhe si do të ndërhyni për bërë një ekip kompetitiv, siç ju jeni shprehur?
“Jemi duke punuar gjatë gjithë kësaj kohe. Kemi rinovuar me portierin Dani, me mbrojtësin Dedgjonaj, po ashtu do të jenë nën kontratë Patrik Fetaj, dhe Muriel. Jemi në bisedime me Kristi Jakun dhe mendoj që do ta mbyllim marrëveshjen me të.
Ai është një mbrojtës i majtë shumë i mirë, po ashtu Xhoel, besoj se do të jetë edhe ai pjesë e ekipit, ndërsa pjesa tjetër e ekipit shumica do të jenë lojtarë shqiptarë, pa përjashtuar këtu edhe ndonjë të huaj por ama duhet që ata të bëjnë diferencën”.
Nga gjeneza familjare trashëgoni lojën në fushë dhe në stol si trajner. Sa ka ndikuar në forminin tuaj futbollistik, babai juaj i mirënjohuri Vasil Bici, ish lojtar i Besëlidhjes dhe trajner i shumë ekipeve dhe zëvëndës trajner i kombëtares shqiptare?
“Jam rritur në familjen time me frymën futbollistike kuptohet injektuar nga babai. Që kur isha i vogël kam ndjekur skemat dhe idetë për futbollin dhe natyrshëm më lindi dashuria për këtë lojë magjike, të cilës i’u përkushtova për shumë vite, me angazhimin maksimal, për të dhënë më të mirën e mundshme. Kështu që mendoj se, të gjitha eksperiencat e mija do ti kem në shërbim të ekipit të Burrelit”.
Keni një karrierë të gjatë si futbollist, sa mendoni që do t’ju shërbejë kjo eksperiencë, në rolin e trajnerit?!
“Sigurisht mendoj që karriera ime do t’më ndihmojë, në këtë sfidë. Të gjitha eksperiencat e mija që kam marrë nga futbolli i luajtur por dhe nga trajnerët nga të cilët jam trajnuar, besoj se do të më shërbejë.
Është një karrierë e gjatë dhe të gjitha ato çfarë kam mundur të marrë nga futbolli, do ti vë në shërbim të kësaj eksperience të re dhe kësaj sfide”.
Kategoria e parë sivjet pritet të jetë shumë e fortë. Sa i përgatitur do të jetë Burreli, për ta përballuar këtë garë?!
“Kategoria e parë natyrisht do të jetë jashtëzakonisht e fortë, për vetë përbërjen e ekipeve që ka. Dhe jam shumë i vetëdijshëm për sa i përket shkallës së vështirësisë së kësaj lige, por kam shumë besim tek elementi që do të përzgjedhim, se do t’ja dalim me sukses.
Mendoj që do të krijojmë një ansambël simpatik do të thoja. Kështu që puna, do të filloj këto ditë, do të kemi edhe prova të shumë futbollistëve, por në fund fare do të përzgjidhen vetëm ato lojtarë që mendojmë ne si staf, që ti shërbejnë ekipit të Burrelit dhe objektivave që ne kemi”.
Cili do të jetë stafi ndihmës i juaj për këtë sezon?!
“Ndihmësi im, do të jetë Mir Dika, ai që ka qenë edhe sezonin e kaluar. Kështu kemi vendosur bashkë me presidentin. Ai është një person shumë pozitiv e shumë i përkushtuar, dhe meqenëse është matjan isha plotësisht dakort, që të ishte krahu im i djathtë”.
Pavarësisht se edhe keni drejtuar edhe në ekipe të tjera, por në Burrel debutoni si trajner i parë. Si e mendoni këtë sfidë?!
“Kam qenë pjesë e Flamurtarit si zëvëndës trajner, ku ju bashkëngjita projektit të trajnerit Dritan Resuli, nga i cili kam mësuar shumë dhe besoj se kjo eksperiencë më ka shërbyer jashtëzakonisht shumë.
Tani është diçka e re, do të jem trajner i parë, do të jem vendimmarrësi i plotë, por që unë ashtu si futbollist edhe si trajner ofroj dhe kërkoj sa më shumë bashkëpunim, sidomos me stafin tim, që do të jenë Marjan Lleshaj, Klevis Gjoka dhe Mir Dika. Duke qenë një staf shumë bashkëpunues me njëri tjetrin”.
Në Burrel, si askund tjetër ndoshta, ka një tifozeri të zjarrtë, që jeton me futbollin, cili do të jetë raporti juaj me ta?!
“Kam dëgjuar për tifozërinë e zjarrtë matjane. Personalisht edhe kur kam qenë kundërshtar në ndeshjen me Flamurtarin, e kam ndjerë rolin e tyre. Janë njerëz shumë të pasionuar pas futbollit e mbi të gjitha për ekipin e qytetit, ekipin e zemrës së tyre Burreli.
Uroj me mish e shpirt që ta kemi lojtarin e dymbëdhjetë, që në ndeshjen e parë sepse është një favor, që jo shumë ekipe e kanë këtë lloj tifozërie avantazh”.
Si është pritur emërimi juaj në ambjentet sportive dhe jo vetëm?
“Natyrisht që pas emërimit si trajner i Burrelit, përmes mënyrave të ndryshme, kam marrë shumë urime nga shumë shokë, miq e dashamirës, e kjo ndikon për mirë. Unë kam dy vite që jam shkëputur nga futbolli i luajtur. Kam qenë pjesë e Flamurtarit si zëvëndës trajner, tashmë një eksperiencë e re tek Burreli, diçka shumë pozitive.
E thashë edhe më përpara që ndihem jashtëzakonisht i privilegjuar, sepse më është besuar një punë shumë e rëndësishme, dhe do të jap maksimumin që ta ngjis sa më lart në tabelën e klasifikimit këtë ekip me shumë traditë”.
Kush është Ditmar Bicaj, përtej pazgjishmërisë me futbollin, jeta juaj familjare, shoqëria etj?
“Ditmar Bicaj është pesë herë kampion i Shqipërisë si futbollist. Familja dihet, babai ish trajner. Karriera ime futbollistike i përket periudhës 2007-2022. Shumë vite eksperiencë në Shqipëri dhe Kosovë; Skendërbeu, Partizani, Flamurtari, Vllaznia, Tirana. Teuta etj.
Dy aventura edhe jashtë shtetit. Njeri serioz, ambicioz dhe shumë fanatik në futboll, sidomos tek korrektësia dhe profesionalizmi. Të gjitha eksperiencat dhe dituritë e marra nga futbolli i luajtur, do ti vë në zbatim tashmë si kryetrajner, tek skuadra e Burrelit”.
Faleminderit për intervistën dhe ju uroj suksese në sfidën tuaj si trajner!
Faleminderit ju, për kohën që vini në dispozicion të ekipit të Burrelit, si në Radio-Tirana si komentator sportiv, në emisionin “Nga njëra ndeshje në tjetrën” por dhe në publikimet e vazhdueshme në rrjetet sociale dhe shtypin e shkruar.
Intervistoi: Martin DEDAJ