Biznesmeni Eridion Muho që u arrestua për atentatin e dështuar në Sarandë, ku aksidentalisht vdiq miku i tij Armandi Nelaj ka shfaqur shqetësime shëndetësore, ndaj nuk është siguruar dëshmia e plotë. Hetuesit dyshojnë se Muho për shkak të konkurrencës në biznes ka tentuar të hedhë në erë tragetin “Fenikas Lines” të linjës Sarandë-Korfuz.
Një ditë pas arrestimit, Muho ka shfaqur shqetësime shëndetësore dhe ka përfunduar në spitalin e Sarandës. 35-vjeçari u prangos për atentatin e dështuar në tragetin e linjës Sarandë-Korfuz, ku mbeti i vdekur miku i tij, Armandi Nelaj.
Armandi Nelaj më datë 24 qershor në mbrëmje ishte nisur nga porti i Sarandës me një mjet të vogël lundrues drejt tragetit të pasagjerëve “Fenikas Lines”. 52-vjeçari ka tentuar të hedhë në erë tragetin për arsye konkurrence, por në momentin që është afruar për të montuar lëndën plasëse, në telefonin e lidhur me tritolin u futën valët greke, duke bërë që mesazhi “Welcome to Greece”, të aktivizonte shpërthimin. Kjo rezultoi fatale për të!
