Barazimi që Tirana mori pak ditë më parë ndaj Kastriotit, i ka vështirësuar jo pak rrugën për qëndrimin në Kategorinë Superiore duke qenë se këtë javë luan në transfertë e Laçit dhe në javën e fundit pret Flamurtarin. Për gjendjen në të cilën ndodhet ekipi bardheblu, ka folur edhe vetë ish-sulmuesi Mahir Halili i cili ka pranuar për emisionin “Kampionët” se Tirana ka probleme të shumta dhe e ka humbur stofin e kampionit që kishte dikur.
“Unë mendoj se Tirana nuk është mirë nga të gjitha anët. Klubi ka probleme me tifozët që janë armë e fortë. Në tërësi ka probleme që ata që janë brenda i dinë më mirë. Megjithatë unë mendoj se gabimi I parë ishte që u bë ndeshja pa tifozë kundër Kastriotit, ata të japin një shtysë dhe duhet të ishin krah ekipit.
Nuk diskutohet që problemet janë në kohë tek Tirana, ama nuk mund të luash një ndeshje të tillë jetike për sezonin pa tifozë. Ndeshja kundër Kastriotit ishte shumë e vakët. Ka qenë një nga ndeshjet më të dobëta të Tiranës në muajt e fundit. Tirana ka humbur pikë në minutat e fundit. Nuk kanë qenë të përqendruar, nuk ka pasur stofin e skuadrës së dikurshme kampione. Më vjen keq por Tirana ka ndjekur politika të gabuara. Ne ndeshjen kundër Kastriotit , drejtuesit menduan se tifozët do ti bënin presion lojtareve, por kane gabuar rende”, tha Halili.