Stuhitë e forta që kanë përfshirë rrethet e Skraparit dhe Kuçovës kanë shkaktuar dëme të mëdha në rrjetin elektrik, duke lënë pa energji disa zona të banuara.
Sipas burimeve, në nënstacionin e Çorovodës është dëmtuar fidri nr. 9, çka ka çuar në nxjerrjen jashtë funksionit të dy kabinave elektrike. Si pasojë, rreth 40 abonentë në fshatrat malore Leshnje, Potom, Kostren dhe Tomorr kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike që prej disa orësh.
Edhe në Kuçovë, erërat e fuqishme dhe shirat e pandërprerë kanë dëmtuar fidrin 13/6 kV të nënstacionit të zonës, duke shkaktuar probleme në gjashtë kabina elektrike. Për pasojë, rreth 200 abonentë në zonën Gegë-Frashër janë pa energji elektrike që prej orëve të para të mëngjesit.
OSHEE Berat ka njoftuar se ekipet janë në terren dhe po punojnë intensivisht për riparimin e linjave dhe kabinave të dëmtuara, me qëllim rikthimin sa më të shpejtë të furnizimit me energji për banorët e prekur.