Ilirjan Celibashi thotë se qeveria i ka dhënë KQZ-së buxhetin për të mbuluar shpenzimet për pagesën e postës për votimin nga Diaspora.
”Po punojmë me partitë politike, përfshirë edhe PD-në. Partitë kanë akses që nga hapi 1 e deri në përfundim të procesit të regjistrimit të votuesve nga jashtë”,-u shpreh Celibashi. Nga ana tjetër zbuloi propozimin që ka të bëjë me tavolinën ku do numërohen votat.
”Numërimi e vlerësimi i fletëve është në prani të partive politike, krahas dy punonjësve të KQZ-së në tavolinë, në draftin që i kam paraqitur Komisionit Rregullator, kam parashikuar që dy partitë PS dhe PD të kenë një njeri që qëndron ulur aty, me status prezence. Procesi është i monitoruar me kamera në çdo tavolinë”, tha ai.
Celibashi tha se ka pasur diskutime me qeverinë për tarifën e shërbimit postar. ”Kemi vullnetin e qeverisë dhe të Kuvendit sepse në ligjin për buxhetin të miratuar disa ditë më parë i është vënë në dispozicion KQZ-së buxhet për të paguar tarifën postare si në dërgim ashtu edhe në kthim të fletës së votimit”, u shpreh ai.