Një avion pasagjerësh Embraer 190, i kompanisë Azerbaijan Airlines, u rrëzua këtë të mërkurë pranë qytetit Aktau të Kazakistanit, gjatë një fluturimi nga Baku drejt Groznyt, kryeqytetit të Çeçenisë.
Avioni kishte 62 pasagjerë dhe 5 anëtarë të ekuipazhit në bord. Autoritetet raportuan se 27 persona arritën të mbijetonin, përfshirë tre fëmijë, të cilët po trajtohen në një spital të zonës.
Sipas Ministrisë së Urgjencave të Kazakistanit, zjarrfikësit shuan flakët pas aksidentit.
Një video, ende e paverifikuar zyrtarisht, tregon avionin e përfshirë nga flakët teksa godet tokën, duke u ndjekur nga një re tymi. Pasagjerë të plagosur u panë duke dalë me vështirësi nga një pjesë e avionit që kishte mbetur e paprekur.
Sipas Azerbaijan Airlines, avioni po kryente fluturimin J2-8243, por ishte detyruar të bënte një ulje emergjente rreth 3 kilometra nga qyteti Aktau, për shkak të mjegullës që e pengonte të zbarkonte në Grozny.
Autoritetet në Kazakistan kanë nisur një hetim për të përcaktuar shkaqet e aksidentit, duke përfshirë mundësinë e një defekti teknik.
Pas aksidentit, presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ndërpreu vizitën e tij në Rusi, ku pritej të merrte pjesë në një samit, dhe u kthye në vendin e tij. Ramzan Kadyrov, lideri i Çeçenisë, shprehu ngushëllimet për viktimat dhe uroi shërim të shpejtë për të plagosurit, të cilët janë raportuar në gjendje të rëndë.