Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca kanë kërkuar që sot, më 3 tetor, Kuvendi i Kosovës të mblidhet për të shqyrtuar dhe votuar në dy lexime ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara.
Deputetja e PDK-së, Ariana Musliu-Shoshi, e ka cilësuar si hap të rëndësishëm dërgimin e projektligjit nga Qeveria në Kuvend, duke kërkuar që procedurat parlamentare të nisin menjëherë.
“Ligji duhet të trajtohet dhe të votohet në të dy leximet. Prandaj, procedura duhet të nisë SOT në seancën e Kuvendit, duke pasur parasysh afatin prej 72 orësh ndërmjet dy leximeve”, ka shkruar Musliu-Shoshi në Facebook.
Ajo ka kërkuar gjithashtu që paralelisht me procedurën parlamentare të hartohet një strategji e koordinuar juridike dhe diplomatike, me përfshirjen e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë. Sipas saj, kjo strategji duhet të fokusohet në procesin e apelimit të vendimit të 16 shtatorit dhe në mbrojtjen e qëndrimit të Kosovës për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Musliu-Shoshi ka paralajmëruar se nëse Kosova shkon në zgjedhje pa përfunduar këtë proces, mund të vështirësohet mbështetja institucionale për proceset që lidhen me ish-pjesëtarët e UÇK-së.
“Kjo çështje është mbi partitë dhe mbi kalkulimet politike. Këtu nuk ka pozitë e opozitë. Ka interes shtetëror”, ka deklaruar ajo.
Kërkesa për seancën vjen në një moment kur në Kuvend pritet të trajtohet procedura për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, ndërsa partitë opozitare kërkojnë që procesi të përmbyllet brenda afateve të përcaktuara.
