Endrit Sadedini është i riu që u arrestua sot nga Policia e Vlorës. Ai u ka shpëtuar dy atentateve, njëri me tritol më 19 dhjetor 2021. Ndërkohë edhe në 2019, i është vendosur një sasi e madhe eksplozivi në makinë, e cila nuk ka shpërthyer, pasi e ka pikasur në kohë. Në momentin e arrestimit, Sadedini ka tentuar të qëllojë në drejtim të policisë.
Policia në deklaratën për mediat sqaron arrestimin e tij, duke njoftuar se 38-vjeçari në momentin që ka parë efektivët, ka tentuar që të largohej dhe iu ka drejtuar armën, por nuk ka mundur të qëllojë.
“Bazuar në informacionet e inteligjencës policore dhe pas një operacioni të mirëkoordinuar, shërbimet operacionale bënë të mundur lokalizimin, neutralizimin dhe kapjen e shtetasit E. S., 38 vjeç, person me precedentë penalë të theksuar, i arrestuar dhe i hetuar më parë nga autoritetet e huaja për vepra penale të rënda në fushën e krimeve kundër personit. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj tij, Policia gjeti dhe sekuestroi një armë zjarri pistoletë, së bashku me një karikator me municion luftarak.
Shtetasi E. S., në momentin që pa shërbimet e Policisë, tentoi të largohej dhe iu ka drejtuar armën e zjarrit shërbimeve të Policisë, por s’ka mundur të qëllojë apo të largohet, pasi, falë profesionalizmit të forcave të Policisë, është bërë e mundur neutralizimi dhe arrestimi i tij. Arma e zjarrit do t’i nënshtrohet ekspertizës balistike për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje kriminale të mëparshme. Gjithashtu, në lidhje me këtë ngjarje është proceduar në gjendje të lirë për moskallëzim krimi shtetasi M. Sh., 33 vjeç, i cili lëvizte bashkë me 38-vjeçarin, tashmë të arrestuar”, informon policia.
