Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme, Arta Marku, raporti dje në Kuvend për gjendjen e kriminalitetit për vitin 2018.
Në mbledhjen e përbashkët të dy komisioneve, atij të Ligjeve dhe të Sigurisë, Kryeprokurorja u pyet disa herë për dosjet “339” dhe “184”, që kanë të bëjnë ndër të tjera edhe me shitblerjen e votës. Deputetët e opozitës, Lefter Maliqi dhe Myslym Murrizi, ishin më të drejtpërdrejtë me pyetjet dhe komentet e tyre. Murrizi, nga ana e tij, theksoi se prokurorët nuk kanë zbardhur asgjë dhe e kanë zvarritur këtë çështje.
Ndërkohë, Arta Marku dha disa përgjigje që ishin dekurajuese për sa i përket hetimit penal të këtyre çështjeve. Kryeprokurorja Marku theksoi se aktualisht nuk ka asnjë veprim hetimor që të kryhet nga Prokuroria për Krimet e Rënda, por janë zhvilluar vetëm përgjime audio dhe video, të cilat nuk janë transkriptuar ende. Krahas kësaj, ai theksoi se çështja është zvarritur dhe nëse kjo do të trajtohej në kohë reale, rezultatet do të ishin më të prekshme, duke shtuar se vonesa mund të ketë dëmtuar çështjen. Krahas kësaj, Arta Marku theksoi se është ngritur një grup pune që po merret me transkriptimin e këtyre materialeve dhe shumë shpejt do të dalë në një vendimmarrje.
“Në shator të vitit të kaluar janë konstatuar evidenca e 700 CD dhe DVD të pazbardhura. Dhe për këtë arsye, i kam kërkuar drejtorisë që të krijojë një grup hetimor, i cili t’i përkushtohet kësaj çështjeje. Aty nuk ka veprime hetimore, ka vetëm përgjigje të pazbardhura. Po punohet shumë dhe shumë shpejt do të ketë vendimmarrje. Në të njëjtën çështje është edhe dosja tjetër, ‘184’ (Zgjedhjet e pjesshme në Dibër). Ka një procedim penal për nxjerrjen e sekretit hetimor. Natyrisht, nëse një çështje ndiqet në kohë reale, rezultatet janë më të mira. Vonesat mund të kenë dëmtuar çështjen, por ato CD po zbardhen”, ka thënë ndër të tjera Kryeprokurorja.
Lefter Maliqi: Presim nga Prokuroria goditjen dhe arrestimi n e bujshëm të peshqve të mëdhenj, siç ka thënë ish-ambasadori amerikan. Pavarësisht këtyre goditjeve nga ana e Prokurorisë për vjedhje, falsifikime, drogë me 30 gramë dhe bosët e drogës janë jashtë. Por të jeni të bindur se bosët e krimit janë në Prokurori, ish-qeveritarë shumica, janë në Parlamentin e Shqipërisë, drejtues institucionesh, drejtues të vendit dhe të lidhur me bosët e tjerë jashtë, që e kanë çuar vendin në këtë gjendje. Ky është një realitet i dhimbshëm, prandaj edhe puna e institucionit të Prokurorisë së Përgjithshme është e rëndësishme në funksionimin e shtetit.
Manja: Është në diskrecionin e prokurores për të dhënë përgjigje ose jo për pyetje që mund të konsiderohen si shkelje e natyrës së sekretit hetimor. Ky është raportim për gjendjen e kriminalitetin për vitin 2018. Dhe në detyrimin e këtij komisioni është edhe respektimi i atyre kufizimeve që na vendos ligji dhe Kodi i Procedurës Penale për sekretin hetimor.
Lefter Maliqi: Njerëzit pa përkrahje ekonomike, në burgjet e Shqipërisë, vuajnë dënime për vepra penale të ulëta me shumë vite, ndërkohë për veprat e rënda, me pak vite, për shkak të kësaj lidhjeje, që ka pasur sistemi i drejtësisë me politikën shqiptare. Jo më larg nga këtu, përpara disa vitesh, ndodhi vrasja e bujshme e Artan Santos, pranë qeverisë, pranë Parlamentit të Shqipërisë dhe unë dua të di, a ka një grup të përbashkët apo keni një dosje hetimore dhe ia keni kaluar Policisë? Çfarë është bërë për dosjet e përgjimit, që kanë dalë nga mediat për vjedhje votash?
Spartak Braho: Ky raportim ka një specifikë të veçantë. Është raportim i Prokurorisë së Përgjithshme për çështjet e kriminalitetit. Është e ndaluar që Prokurorja e Përgjithshme të flasë për çështje konkrete. T’i shmangim pyetjet për çështjet konkrete.
Arta Marku: Do të them që Prokuroria e Përgjithshme nuk ka më objekt hetimi apo ndjekje penale. Nëse keni prova, mund t’i drejtoheni Prokurorisë për Krimet e Rënda. Për sa u përket dosjeve kriminale, kjo është në raport. Është një shifër që ka ardhur në ulje, krahasuar me një vit më parë. Dosja, për të cilën ju folët, për vrasjen e Artan Santos, është jashtë periudhës që jam thërritur për të raportuar sot. E dyta, është një çështje konkrete dhe nuk më lejohet të flas. Çështja është në hetim. Për dosjet ku kanë dalë përgjigjet, vazhdojnë hetimet. Nëse do të kishte një vendimmarrje, do të ishte marrë vesh. Unë e kam shprehur disa herë, ato kanë një problematikë, dosjet janë zvarritur, janë mbajtur pa veprimet. Ka pasur vetëm përgjime të kryera, të cilat, edhe pse janë bërë, nuk janë zbardhur dhe nëse nuk transkriptohen, janë të palexueshme. Çështja ‘339’ po hetohet nga një grup prej 2 prokurorësh dhe 11 OPGJ. Ka pasur, po kështu, video të patranskriptuara dhe po punohet për to. Ju garantoj se shumë shpejt do të ketë një vendimmarrje të prokurorëve dhe do të bëhet publike. Gjithashtu, edhe për dosjen ‘184’.
Murrizi: Për 700 CD-të e regjistrimeve. Janë përgjuar, por nuk janë transkriptuar. Janë përgjuar kot për qejf këta? Është kthyer si një call center Prokuroria e Përgjithshme për të bërë videoklipe dhe rrinë aty se çfarë të dalë ndonjë gjë që na intereson, ta zbardhim dhe po nuk doli, e lemë. Për shkak të kësaj, nuk e ka marrë asnjë mundimin. Nuk e di se për sa vite është bërë ky regjistrim që ia ka kaluar edhe kinostudios, që nga 1948 deri te “Vdekja e Kalit”. Është kthyer në një çështje gallate me taksapaguesit shqiptarë, që harxhohen para për ata që mbajnë kufje në vesh, për ato 700 CD-të, besoj se Sinan Hoxha do të kishte bërë goxha lekë me to dhe nuk vjen asnjë lloj angazhimi minimal për të bërë transkriptimin e tyre. E dyta, vetëm 109 procedime penale janë regjistruar kryesisht. A nuk shihni që është një lloj parazitizmi i një trupe prej rreth 400 prokurorësh dhe 170 OPGJ, që janë marrë me prokuroritë. Regjistrimi, në një farë mënyrë, është si dogana, se kush do t’i vijë te trau, pavarësisht denoncimeve publike të mediave. Numri i prokurorëve që ka Shqipëria, sa i janë nënshtruar procesit të vetingut, sa nga këta janë larguar nga vetingu dhe a jeni ju përgjegjëse për një anëtar të KLP-së, që ka rezultuar bashkëpunëtor me ish-Sigurimin e Shtetit me pseudonimin ‘Venusi’?
Arta Marku: Zoti Murrizi, ju lutem, a mund t’u përgjigjem këtyre pyetjeve një herë…
Manja: Stafi që keni me vete, jo vetëm këta që keni përballë, natyrisht do të duhet të mbajnë një për një të gjitha pyetjet që bëjnë deputetët.
Murrizi: Ju keni shtatë veta aty, çfarë bëjnë ata, nuk mbajnë shënime apo kanë ardhur për të përgjuar këtu…
Manja: I bëre të gjitha pyetjet z. Murrizi, edhe kolegu që kam në krah, Korab Lita, më tha që m’i mori të gjitha pyetjet Myslymi…
Murrizi: Pyetje i mora, nuk i mora lekë
Marku: Po e fillojë me 700 CD-të e pazbardhura. Janë shumë dhe duket sikur Prokuroria s’ka bërë asgjë, vetëm se ka përgjuar zyrtarë dhe njerëz. Megjithatë, që kur kamë marrë dijeni për këtë problematikë, kamë ndërhyrë sipas kompetencave që më jep ligji. Di të them që kjo çështje është në hetim. Është mbajtur në hetim për disa kohë dhe vetëm në shtator të vitit 2018 është shfaqur problematika e CD-ve të pazbardhura. Kjo çështje ka shumë volum, janë shumë procedime të bashkuara në të. Kështu që prandaj është edhe numri i lartë i CD-ve, pasi janë mbi 7 çështje të ardhura nga rrethe të ndryshme. Në shator të vitit të kaluar është konstatuar evidenca e 700 CD-ve dhe DVD-ve të pazbardhura. Dhe për këtë arsye, i kam kërkuar drejtorisë që të krijojë një grup hetimor, i cili t’i përkushtohet kësaj çështje. Aty nuk ka veprime hetimore, ka vetëm përgjigje të pazbardhura. Po punohet shumë dhe shumë shpejt do të ketë vendimmarrje. Në të njëjtën çështje, është edhe dosja tjetër ‘184’ (Zgjedhjet e pjesshme në Dibër). Ka një procedim penal për nxjerrjen e sekretit hetimor. Natyrisht, nëse një çështje ndiqet në kohë reale, rezultatet janë më të mira. Vonesat mund të kenë dëmtuar çështjen, por ato CD po zbardhen.
Braho: Përse hetohet nga Krimet e Rënda shitblerja e votës? Mos u fut shumë në siklet për këtë që do kërkoj dhe do them, cili është opinioni juaj për një amnisti ose falje. Amnistia është pjesë e një vullneti politik, falja është pjesë e Presidentit.
Marku: Çështja në fjalë po hetohet nga Krimet e Rënda, sepse është regjistruar në bazë të nenit 260 të Kodit Penal dhe është atribut i Gjykatës për Krimet e Rënda. Nuk jam kundër as për amnistinë, as faljen.
PANORAMA
