Rritja e fluksit të turistëve në Qarkun e Dibrës ka mbledhur në tryezën e Prefektit të Qarkut Dibër drejtuesit e institucioneve qendrore në nivel vendor.
Zyrtarë të bashkive Dibër, Mat, Bulqizë, Klos, drejtues të Policisë së Shtetit, drejtorë të Shëndetit Publik, IKMT, Mbrojtjes së Territorit, AKU-së, etj diskutuan sot rreth problemeve të evidentuara gjatë këtij sezoni turistik.
U kërkua ndihmë nga strukturat shtetërore për zbatimin e marrëveshjes me palën maqedonase në lidhje me prurjet e lumit Drin, të cilat krahasuar me një vit më parë kanë rënie të theksuar dhe kanë frenuar frekuentimin e këtij lumi nga turistët.
Për policinë është problem lëvizja dhe parkimi i mjeteve, sidomos në qytetin e Peshkopisë. Policia Rrugore është detyruar të gjobisë 500 posedues mjetesh brenda një jave. Problemet e rendit janë shumë të ndjeshme për vizitorët.
Shqetësues mbetet sakaq grumbullimi dhe depozitimi i mbetjeve urbane. Bashkitë e këtij rajoni nuk kanë ende leje mjedisore për vendgrumbullimin e plehrave. Në qytetin e Peshkopisë mbetjet derdhen buzë rrugës kryesore.
Prefekti Nexhbedin Shehu kërkoi angazhim serioz nga të gjitha strukturat shtetërore për t’ua lehtësuar lëvizjen dhe akomodimin turistëve vendas dhe të huaj.
