Shtatë të rinj janë shpallur fajtorë për vrasjen e një shqiptari në Londër.
Edmond Jonuzi, 35 vjeç, humbi jetën gjatë një sulmi me thikë më 9 Qershor të 2019-s në afërsi të stacionit të metrosë Turnpike Lake.
Ai njihej gjithashtu me emrin Edmond Preçi. I riu ishte sëbashku me vëllain, Eraldi Preçi, i cili gjatë sulmit pësoi dëmtime të rënda në kafkë.
Gjykata vendosi të martën se Bilal Mumin, 20 vjeç, është fajtor për vrasjen e 35-vjeçarit. Ndërkohë, gjashtë të rinj të tjerë janë shpallur fajtorë për dhunë.
Ata janë Saydomar Mohammed, 21 vjeç; Tenzin Massiah, 23 vjeç; Abdul Mohamed, 22 vjeç; Ismail Mohammed, 21 vjeç; Eldar Iliazi, 21 vjeç dhe Rayan Saleh.
Policia është shprehur se të rinjtë përpara vrasjes së Jonuzit e kishin shpenzuar ditën përreth zonës Common Duckett-s duke pirë, duke u zënë dhe duke u përfshirë në sjellje anti-sociale.
Ata e njihnin njëri tjetrin dhe ishin të përfshirë në trafik droge. Gjykata dëgjoi të martën se ata ndiheshin “Zotat” e zonës.
Mamaja e tij, Dava Preçi, e kishte të pamundur të shkonte në Britani për seancat gjyqësore, por sipas BBC ka reaguar me një deklaratë.
“Më 9 Qershor bota më ndryshoi përgjithmonë, e më la të thyer dhe bosh përbrenda.
Më ka mbetur të imagjinoj imazhet e dhunës dhe dhimbjes që djemtë e mi kaluan. Nuk mund të fle në paqe”, është shprehur ajo.


