Numri i përgjithshëm i shtrimeve në spitale në vend ka pësuar rënie për periudhën janar-gusht 2025.
Sipas të dhënave të raportit të 8-mujorit “Për realizimin e treguesve të monitorimit financiar” të publikuar nga Ministria e Shëndetësisë”, në total për periudhën në spitale numri i pacientëve të shtruar arriti 209,7 mijë të shtruar. Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar numri i shtrimeve ra 3%.
Por sipas të dhënave disa shërbime të specializuara kanë shënuar rritje të dukshme të shtrimeve, veçanërisht psikiatria dhe kardiologjia.
Në vitin 2025 janë trajtuar 7,543 pacientë në repartet e kardiologjisë, krahasuar me 6,419 pacientë një vit më parë. Numri i pacientëve të trajtuar nga paketat e kardiologjisë dhe kardiokirurgjisë u rrit 17.5%.
Mjekët vjet paralajmëruan se për shkak të nivelit të lartë të ndotjes, mungesës të aktivitetit fizik dhe dëmeve të kequshqyerjes do të ketë tendencë rritëse për simptomat kardiake dhe neurologjike. Faktorë të tjerë sipas Ilir Allkja mjek urgjence, që po ndikojnë në shtimin e numrit të rasteve me simptoma kardiake është rritja e moshës mesatare të popullsisë, por edhe mospërmirësimi i diagnozave të hershme në rrethe.
“Në spitalet universitare të Tiranës, por edhe ato private ka një kërkesë të rritur për trajtime pacientësh me probleme kardiake qoftë ambulatorisht apo edhe në shtrime, kujdes spitalor.
Faktor i parë është plakja e popullatës, e cila bashkëshoqërohet me sëmundshmëri të rritur.
Faktor i dytë është rentabiliteti i ulët i spitaleve bashkiake e ndoshta edhe atyre rajonale. Është fakt që shumë pacientë trajtohen në mënyrë të gabuar nëpër rrethe dhe kjo ndodh për shkak të mungesës së stafit klinik dhe pajisjeve.
Faktor shtesë mbetet fakti që në shumë zona mungon mjeku bazë, ai të familjes, pasi pacientët mbeten të pamjekuar afatgjatë dhe drejtohen tek specialisti në momentet kur problemet janë kronikizuar, përkeqësuar e shpesh janë të pamundura për t’u trajtuar në shtëpi”, thotë mjeku Allkja.
Edhe shërbimi psikiatrik ka shënuar rritje. Për periudhën janar-gusht 2025 numri i pacientëve të trajtuar në spitalet psikiatrike arriti në 1,129 pacientë. Numri i të shtruarve në spitalet psikiatrike është rritur 36%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës.
