Banorët e tre fshatrave në qarkun e Korçës, Floqit, ku ishte epiqendra e tërmetit, Vidovës dhe Qafë Zezës kaluan natën e parë në çadra pas lëkundjeve të forta sizmike që u dëmtuan shtëpitë duke i bërë të pabanueshme. Nata ka qenë e vështirë pasi nuk kanë munguar as reshjet e shiut që vijojnë edhe sot, ndërsa një grua shtatzënë dhe dy të moshuar janë dërguar në spitalin e Korçës për ndihmë sot në mëngjes.
Emergjencat Civile njoftojnë se numri i banorëve që e kaluan natën jashtë në çadra ka qenë 230 nga frika e lëkundjeve, të cilat vijuan edhe sot, teksa prej orës 00:35 minuta deri në 12:14 të mesditës u regjistruan 16 me magnitudë deri në 3.5 ballë duke shkaktuar panik te banorët e juglindjes së vendit. “Janë evidentuar 184 banesa të dëmtuara, 60% e të cilave të pabanuara. 230 banorë janë strehuar në çadrat kolektive të ngritura, 160 në Floq, 40 në Vidovë dhe 30 në Qafë Zezë. Deri me tani raportohet për 8 kabina elektrike të dëmtuara nga tërmeti” njoftojnë Emergjencat Civile.
Emergjencat Civile theksojnë se banorëve ju është siguruar ushqimi, uji i pijshëm, krevate dhe batanije, por në Qafë Zezë jo të gjitha familjet kanë pranuar që të strehohen në çadra, pasi nuk kanë pranuar që të lënë shtëpitë, ndërsa njëri prej tyre thotë se nuk kanë marrë ndihma në ushqime. Drejtuesit e pushtetit vendor dhe drejtuesi i Emergjencave Civile ndodhen në zonat e prekura. Në një lidhje për Report Tv Haki Çako tha se banorët janë sistemuar dhe situata është nën kontroll. Ndërsa sizmologu Rrapo Ormeni në një lidhje telefonike për Report Tv u shpreh se pas goditjes kryesore dje në qarkun e Korçës, me epiqendër në Floq, të tjerat që kanë vijuar edhe sot nuk paraqesin rrezik.
Muret e çara, tavani në tokë, banorët në Qafë Zezë: Ushqime s’kemi marrë, jemi në pritje
Report Tv sjell pamje të tjera nga banesat që janë dëmtuar nga tërmeti në fshatin Qafë Zezë, ndërsa një pjesë e banorëve thonë se nuk kanë marrë asnjë ndihmë nga shteti. “Erdhën dhe panë dëmet. Brenda lokalit, kati i parë është duke u rrëzuar, nuk bëhet më. Dje natën e kaluam në çadër dhe nuk kemi fjetur fare. Këtu janë 5 çadra, por kanë lënë edhe të tjera. Ndihma ushqimore nuk kanë ardhur. Ka ardhur bashkia dhe Emergjenca, tani jemi në pritje. Na thanë që do të vijnë të tjerë që të çmohet dëmi dhe pastaj do të shohim” tha një nga banoret.
Ndërsa një tjetër banore tha se “U trondit fort dhe dolëm jashtë. Erdhëm morëm telefonat dhe ikëm. Natën e kemi kaluar në makinë jashtë, janë vendosur pesë çadra, fshati ka 200 banorë. Ne kërkojmë që të na ndihmojnë. Mbrëmë ka rënë disa herët tërmet, por edhe në mëngjes dhe paradite. Edhe jashtë kur rrimë na duket sikur...”. Report Tv sjell pamjet ku duken muret e banesave të çara, tavani ka rënë, ndërsa janë dëmtuar edhe orenditë. Një pjesë e banorëve e kanë kaluar natën në çadra.
