Dy qytetarë viktima dhe 7 të plagosur, mes të dëmtuarve edhe një i mitur 12-vjecar i cili i mori makinën babait, ky është bilanci tragjik i aksidenteve nga mbrëmja e së dielës deri në orët e para të mëngjesit të së hënës në vendin tonë.
Në Tiranë rreth orës 10 të mbrëmjes të së dielës, një 18-vjeçare që po lëvizte me biçikletën në rrugën e Kavajës te kryqëzimi te “pallati me shigjeta” shpëtoi mrekullisht teksa u përplas nga autobusi i linjës së Astirit. Pamjet u bënë virale në rrjetet sociale, ku duket momenti që autobusi pasi kalon semaforin në limitet e ngjyrës portokalli për t’u bërë e kuqe përpara i del 18-vjeçarja me biçikletë. E reja mori dëmtime vetëm në shpatull dhe është jashtë rrezikut për jetën. Policia arrestoi shoferin e autobusit shtetasin Çlirim Shala, 56 vjeç, i cili përplasi edhe dy automjete të parkuara. Ndërkohë u plagosën edhe tre pasagjerë që ndodheshin në autobus.
Ky aksident pak minuta me vonë u pasua me një aksident tjetër të rëndë ku një 12-vjeçar në fshatin Mushqeta të Tiranës kishte marrë makinën e të atit dhe gjatë drejtimit ka humbur kontrollin, duke dalë nga rruga. Si pasojë, u dëmtuan 12-vjeçari dhe pasagjeri në automjet, një 18-vjeçar, të cilët janë në spital, nën kujdesin e mjekëve. Për ngjarjen u procedua në gjendje të lirë babai i 12-vjeçarit.
Një orë më pas një aksident tjetër ndodhi në daljen jugore të Lushnjës. Makina e drejtuar nga Aleksandro Braholli, është përplasur me shtyllën e ndriçimit rrugor. Nga përplasja drejtuesi i mjetit mori plagë të rënda dhe ndodhet në spitalin e Fierit. Pas dy aksidenteve të rënda fatmirësisht pa viktima, mëngjesi i të hënës nisi tragjik, ku një këmbësore 49 vjeçare u përplas për vdekje nga një automjetet që drejtohej nga një i ri në sheshin “Shqiponja” në kryeqytet.
Policia shoqëroi në komisariat drejtuesin e automjetit shtetasin Desar Musa rreth 30 vjeç. Bilanci tragjik u mbyll me një aksident me vdekje në aksin Roskovec-Berat, pranë fshatit Strum. Një mjet përplasi për vdekje 50-vjeçarin Gëzim Xhoka, i cili po udhëtonte me biçikletë. Drejtuesi i automjetit Jamarbër Torro u shoqërua në Komisariat për veprime të mëtejshme procedurale.
