Policia e Shkodrës ka arritur të zbulojë autorin e një tentative vjedhjeje në një filial të Postës Shqiptare dhe një marketi. Bëhet fjalë për një 24-vjeçar nga Gucia e Re.
Siç duket nga pamjet e shpërndara nga uniformat blu, pasi ka shkuar në shtëpi ai është fshehur në tavanin e banesës për t’ju shmangur efektivëve, por kjo përpjekje ka rezultuar e kotë.
“Ky shtetas dyshohet se mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Vasil Shanto”, duke kërcënuar me një mjet prerës (thikë), ka tentuar të vjedhë me dhunë në filialin e Postës Shqiptare. Gjatë largimit, ka thyer xhamin e sportelit dhe është larguar me një biçikletë të vjedhur. Gjithashtu, pak minuta më pas, dyshohet se ka tentuar sërish, po me kërcënimin e mjetit prerës (thikë), të vjedhë me dhunë një subjekt market në lagjen “Fahri Ramadani””, njoftoi policia.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, policia k sekuestruar rrobat që ka përdorur gjatë kryerjes së veprës penale si dhe biçikletat e vjedhura.
“Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprat penale, “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”, e mbetur në tentativë, “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta””, njoftuan uniformat blu.
