Portali “Hapësira ime publike” vijon të shërbejë si një instrument i rëndësishëm komunikimi mes qytetarëve dhe institucioneve për adresimin e problematikave që cenojnë hapësirat publike në vend.
Sipas të dhënave zyrtare, nga 18.921 raste të raportuara nga qytetarët në këtë platformë, 14.669 janë zgjidhur, ndërsa 4.252 raste janë aktualisht në proces trajtimi nga strukturat përgjegjëse.
Përmes portalit, qytetarët mund të denoncojnë një gamë të gjerë shqetësimesh që ndikojnë drejtpërdrejt në cilësinë e jetës në komunitet. Mes tyre përfshihen zënia e trotuarëve, parkimet e paligjshme, ndërtimet pa leje, dëmtimi i pronës publike, ndotja fizike apo akustike e hapësirave publike, si dhe zaptimi i rrugëve kombëtare.
Një tjetër kategori e rëndësishme raportimesh lidhet me kantieret e ndërtimit, veçanërisht ato me rrethime të pasigurta, që mund të përbëjnë rrezik për qytetarët dhe qarkullimin.
Funksionimi i kësaj platforme synon të rrisë përgjegjshmërinë institucionale, transparencën dhe ndërveprimin me komunitetin, duke mundësuar trajtimin në kohë të problematikave dhe përmirësimin e menaxhimit të hapësirës publike.
Institucionet inkurajojnë qytetarët të vijojnë të përdorin portalin “Hapësira ime publike” për të raportuar çdo shkelje apo situatë problematike, në funksion të garantimit të rendit, sigurisë dhe standardeve në hapësirat e përbashkëta./ATSH
