Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro, deklaroi se të gjitha shkollat në vend, përfshirë ato në Tiranë dhe Kamzë, i janë rikthyer normalitetit pas problematikave të shfaqura gjatë dy javëve të fundit, ndërsa theksoi se siguria dhe mirëqenia e fëmijëve mbeten përgjegjësi e përbashkët e institucioneve dhe familjeve.
Duke folur në tryezën e Këshillit Kombëtar për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve, Kumbaro u ndal te ndikimi që zhvillimet e fundit kanë pasur te nxënësit dhe adoleshentët, veçanërisht përballë presioneve të ushtruara nga grupe të ndryshme dhe fushatave të manipulimit në internet.
“Pas çdo diskutimi për shkollën, rregullat, sigurinë dhe të drejtat e fëmijëve, janë fëmijë konkretë dhe familje konkrete, me nevoja dhe ndjeshmëri konkrete. Përgjegjësia jonë është të sigurohemi që çdo fëmijë të ndihet i sigurt, i dëgjuar, i pranuar dhe i mbështetur”, u shpreh ministrja.
Sipas saj, situata e krijuar duhet të shërbejë si një moment reflektimi për mënyrën se si fëmijët dhe adoleshentët përballen me konfliktet, ndikimin e grupit, kërcënimet dhe aftësinë për të kuptuar pasojat e veprimeve të tyre.
Kumbaro bëri të ditur se gjatë dy javëve të fundit janë evidentuar raste kur nxënësit që vijonin normalisht procesin mësimor janë përballur me presione për të bojkotuar mësimin dhe për t’iu bashkuar tubimeve gjatë orarit të shkollës.
“Manipulimi online ka qenë shumë i lartë. Nxënësit që zhvillonin mësim janë përballur me presione nga grupe të caktuara jashtë shkollave, të cilat bënin thirrje, edhe në forma të dhunshme, për bojkot të mësimit dhe dalje në tubime gjatë orëve të mësimit, pa dijeninë e prindërve”, deklaroi ajo.
Ministrja theksoi se Ministria e Arsimit ka bashkëpunuar ngushtë me Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Brendshme dhe Agjencinë për të Drejtat dhe Mbrojtjen e Fëmijëve për të menaxhuar situatën.
Paralelisht, strukturat arsimore janë angazhuar në informimin e drejtuesve të shkollave, forcimin e shërbimit psikosocial dhe rritjen e komunikimit me prindërit, me synimin për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.
Kumbaro konfirmoi se situata në sistemin arsimor është normalizuar plotësisht.
“Normalizimi i situatës është i rëndësishëm dhe mund t’ju konfirmoj se të gjitha shkollat, veçanërisht ato të mesme ku kishim problematika në Tiranë dhe Kamzë, janë kthyer tashmë në normalitet, ashtu si edhe në pjesën tjetër të Shqipërisë”, tha ministrja.
