Për herë të parë që nga nëntori i vitit 2020, kur dorëzoi në SPAK kallëzimin për një nga dosjet më të bujshme të drejtësisë shqiptare, kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, dëshmoi për 3 orë në gjyqin e aferës “Partizani”.
Ish-kryeministri Sali Berisha, i pandehur nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion, mungoi, dhe me gjasë për dëshminë e deputetit që e kallëzoi, është informuar në Zagreb, ku ndodhet në një forum për partitë e qendrës së djathtë.
Në sallën e gjyqit, në bankën e të akuzuarit për korrupsion e pastrim parash, dhëndri i tij, Jamarbër Malltezi.
Deputet prej 2 dekadash, Balla tha se kallëzimin e ka firmosur si qytetar, pa nxitje nga Partia Socialiste, apo kryetari i saj Edi Rama të cilin theksoi se nuk e ka vënë në dijeni për padinë. Ai theksoi se si ligjvënës nuk mund të heshte përballë shkeljeve të ligjit.
Për Ballën,ishte Sali Berisha i cili për shkak të pozicionit si kryeministër, bëri të mundur privatizimin vetëm brenda 6 muajve dhe me vlerë qesharake, të ish-kompleksit sportiv të klubit “Partizani”. Për të realizuar këtë, së pari kompleksi 26 mijë metër katrorë, u hoq nga plani i përhapjes së ushtrisë
Qëllimi final sipas kreut të grupit të PS-së, ishte përfitimi i bashkëshortit të vajzës së tij, Jamarbër Malltezi, një ndër pronarët e truallit ku shtrihej kompleksi sportiv, mbi të cilin lulëzuan më pas 17 kulla.
“Berisha duhej të kishte shmangur veten nga vendimet që kanë çuar në shitjen e godinës për shkak të konfliktit të interesit. Është fakt se procedura e nxjerrjes nga plani përhapjes së ushtrisë përfshin qeverinë, Ministrinë e Mbrojtjes dhe Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura. Malltezi është përfitues për shkak se është dhëndri i kryeministrit të kohës. Përmes lidhjes familjare ka ndikuar tek institucionet për të marrë këto vendime. Nuk ka provë më të qartë të shkeljes se sa akti i vlerësimit të 2 godinave të mëdha në qendër të Tiranës me 100 mijë euro”, tha Balla.
Në fakt edhe sipas hetimeve të SPAK, Sali Berisha ndërmori një sërë vendimesh dhe ndërhyrjesh ligjore duke zhbërë pengesat që ndalonin privatizimin e tokave në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes dhe terrene sportive. Sipas Ballës, ky është rasti tipik i korrupsionit të zyrtarëve të lartë.
“Ky është rasti tipik i korrupsionit të zyrtarëve të lartë, ku familjari jot shkon dhe u premton atyre që tu kthehet prona, ua merr kontratën para me 5%, ky është korrupsion”.
Pas përballjes në gjykatë me dëshmitarin deputet, njëjtë si vjehrri ish-kryeministër, edhe Malltezi, sulmoi drejtësinë
“Balla i la SPAK 20 detyra, prokurori politike”, tha Malltezi.
“Çështje e sajuar. Kam dyshime të forta për kallëzim të rremë..bën vaki s’e ka bërë vetë kallëzimin. Spaku e mori ditën e punës sot“, tha Genc Gjokutaj.
Një nga 5 të akuzuarit në këtë proces, ortaku i Jamarbër Malltezit dhe njëri prej trashëgimtarëve, Xhimi Begeja, pas seancës gjyqësore, zgjodhi të bëjë humor.
“Balla ngeli në klasë, dhe prapë me humor, mori dysh, nuk njihte Paro Laçin, Albert Xhanin”, tha Begeja.
Në këtë seancë SPAK kishte ftuar edhe 7 dëshmitarë të tjerë, ish-drejtues të kompleksit Partizani dhe ish-drejtoreshën e Agjencisë së Kthim Kompensimit të Pronave. Por pas mbylljes së dëshmisë së Taulant Ballës rreth orës 16:00, të gjithë u njoftuan se pyetja e tyre do të bëhet në seancën e radhës, më 11 maj.
Para çeljes së seancës, gjykata rrëzoi për të disatën herë kërkesën e gazetarëve për të regjistruar me pamje filmike gjyqin, Gjyqtarja nuk dha asnjë shpjegim, por u mjaftua ti referohej një vendimi refuzues që ishte marrë që më 26 janar.
Dëshmitarët e thirrur nga SPAK
Taulant Balla Kallëzuesi i aferës Partizani
Afrim Tole Ish-shefi i Klubit Partizani
Isa Tare Ish drejtori i kompleksit
Bujar Labinoti Ish drejtori i kompleksit
Albert Xhani Ish presidenti i Partizanit
Paro Laçi Ish presidenti i Partizanit
Dhurata Çela Ish drejtoreshë e AKKP Tiranë
Petrit Kullolli Topograf në AKKP Tiranë
Ndërkohë GJKKO në seancën e kaluar pranoi dhe kërkesën e mbrojtjes së Berishës dhe Malltezit për të thërritur si dëshmitar dhe kryeministrin Edi Rama. Ky i fundit pritet të dëshmojë në cilësinë e kryebashkiakut të Tiranës, i cili sipas tyre ka ka firmosur ndryshimin e destinacionit të truallit të ish kompleksit Partizani, nga terren sportiv për ndërtim, në kohën kur ka qenë kryetar.
