Është ndarë nga jeta në moshën 99-vjeçare aktori i njohur Koço Qendro, një prej figurave më të spikatura të teatrit, estradës dhe kinematografisë shqiptare, si dhe ndër aktorët më jetëgjatë të skenës dhe ekranit.
Koço Qendro ishte ndër themeluesit e Estradës Profesioniste të Korçës në fillim të viteve ’60 dhe më pas pjesë e trupës së Teatrit “Andon Zako Çajupi”, ku interpretoi për dekada me radhë, duke lënë gjurmë të rëndësishme në artin skenik shqiptar. Për kontributin e tij ai është nderuar me Urdhrin “Naim Frashëri” dhe titullin “Ambasador i Qarkut të Korçës”.
I lindur më 15 maj 1927 në Senicë të Delvinës, Qendro e lidhi jetën dhe karrierën e tij me qytetin e Korçës, ku u shndërrua në një nga emrat më përfaqësues të teatrit dhe estradës profesioniste, si dhe një figurë shumë të dashur për publikun shqiptar.
Një nga interpretimet më të spikatura të tij mbetet roli i Harpagonit në komedinë “Kopraci” të Molierit, të cilin e ka sjellë në skenë në periudha të ndryshme të jetës, duke u rikthyer edhe në moshë të thyer dhe duke dëshmuar pasionin e pandalshëm për artin.
Në kinematografi, Koço Qendro ka lënë gjurmë me role në filma si “I teti në bronz”, “Përballimi”, “Agimet e stinës së madhe”, “Vendimi” dhe prodhime të tjera që bëjnë pjesë në fondin e artë të filmit shqiptar.
Përveç aktrimit, ai ka dhënë një kontribut të rëndësishëm edhe në dokumentimin dhe ruajtjen e historisë së teatrit korçar, duke mbledhur kujtime, ngjarje dhe figura që kanë formuar traditën e skenës shqiptare.

