Guvernatori dhe zëvendësguvernatorët e Bankës së Shqipërisë pritet të gëzojnë mbrojtje të posaçme procedurale, nëse miratohet projektligji i ri që rregullon funksionimin e institucionit.
Drafti parashikon se ndaj drejtuesve të Bankës së Shqipërisë nuk mund të merret masë arresti dhe as t’u kufizohet liria pa një autorizim paraprak të Gjykatës Kushtetuese.
Sipas nenit 72 të projektligjit, guvernatori dhe zëvendësguvernatorët nuk mund t’i nënshtrohen as kontrollit personal apo kontrollit të banesës pa miratimin e Gjykatës Kushtetuese. Përjashtim bëjnë vetëm rastet kur ata kapen në flagrancë ose ndiqen menjëherë pas kryerjes së një vepre penale.
Në çdo rast tjetër, prokurori që zhvillon hetimin duhet t’i drejtohet fillimisht Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar autorizimin për arrestimin ose kryerjen e kontrolleve. Vetëm pas marrjes së këtij autorizimi mund të ndërmerren veprimet procedurale të parashikuara nga ligji.
Projektligji përcakton gjithashtu edhe afatet për shqyrtimin e kërkesave. Gjykata Kushtetuese duhet të shprehet brenda dy javëve nga depozitimi i kërkesës. Nëse brenda këtij afati nuk merret një vendim, kërkesa konsiderohet e refuzuar.
Këto dispozita janë pjesë e projektligjit të ri për Bankën e Shqipërisë, i cili synon të rregullojë funksionimin e institucionit dhe statusin ligjor të drejtuesve të tij, duke vendosur procedura të posaçme për rastet kur ndaj tyre zhvillohen hetime penale.
