Zjarret masive vijojnë të përfshijnë Francën dhe Spanjën, duke detyruar mbi 295 mijë banorë të largohen nga shtëpitë e tyre. Mijëra zjarrfikës, të mbështetur nga avionë dhe helikopterë, po luftojnë me flakët, të favorizuara nga temperaturat e larta, thatësira dhe erërat e forta.
Situata më kritike paraqitet në jugperëndim të Francës, ku zjarri në rajonin Gironde ka avancuar deri në rreth 15 kilometra nga Bordeaux. Rreth 220 mijë persona janë evakuuar, ndërsa qindra banesa janë shkatërruar.
Presidenti Emmanuel Macron ka zhvilluar një mbledhje emergjente me qeverinë, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se temperaturat mund të arrijnë deri në 37 gradë Celsius, duke rritur rrezikun e përhapjes së mëtejshme të flakëve.
Edhe Spanja vijon të përballet me një situatë të rëndë. Mbi 75 mijë persona janë evakuuar dhe rreth 30 mijë të tjerë janë urdhëruar të qëndrojnë në banesa. Vatrat më problematike ndodhen pranë Madridit dhe në rajonin e Valencias, ndërsa zjarri në provincën Ávila ka djegur më shumë se 50 mijë hektarë, duke u konsideruar një nga më të mëdhenjtë në historinë e vendit.
Për shkak të përmasave të krizës, qeveria spanjolle ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare dhe ka aktivizuar mekanizmat e ndihmës europiane.
Ndërkohë, Franca po përballet edhe me një tjetër fenomen ekstrem. Reshje të dendura kanë shkaktuar përmbytje në disa zona të vendit, duke përmbytur rrugë, banesa dhe biznese. Ekipet e emergjencës po vijojnë ndërhyrjet për evakuimin e banorëve dhe rikthimin e normalitetit, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se moti i paqëndrueshëm mund të vazhdojë edhe gjatë orëve në vijim.
