Influenceri meksikan i rrjeteve sociale, Cesar Gastelum, është qëlluar për vdekje teksa po transmetonte drejtpërdrejt në TikTok jashtë një restoranti të ushqimit të shpejtë në qytetin Culiacán, Meksikë.
Sipas autoriteteve lokale, Gastelum, i cili numëronte afro 600 mijë ndjekës në TikTok dhe ishte i njohur për videot e tij komike, ndodhej me disa miq kur dy persona me motoçikletë, të pajisur me helmeta, iu afruan.
Pamjet tregojnë momentin kur njëri prej autorëve hap zjarr në drejtim të tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Një zyrtar i sigurisë në shtetin Sinaloa konfirmoi vdekjen e Gastelum dhe bëri të ditur se në zonë është zhvilluar një operacion i gjerë për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Ngjarja ndodh në një kohë kur Culiacán vijon të përballet me një valë dhune, si pasojë e përplasjes mes fraksioneve rivale të krimit të organizuar për kontrollin e territorit.
Vrasja rikujton edhe ekzekutimin e influenceres meksikane të bukurisë, Valeria Márquez, e cila në maj të vitit 2025 u qëllua për vdekje gjatë një transmetimi live në TikTok, brenda sallonit ku punonte. Për atë ngjarje, autoritetet meksikane arrestuan më vonë Ramón Ángel Álvarez Ayala, i dyshuar si organizatori i vrasjes.
