Një 40-vjeçar i shpallur në kërkim ndërkombëtar është arrestuar në Durrës me qëllim ekstradimin drejt Italisë, në kuadër të operacionit policor të koduar “Wanted 36”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit në DVP Durrës, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, bazuar në informacione të siguruara në rrugë operative.
Si rezultat i ndërhyrjes, në lagjen nr. 12 të Durrësit u lokalizua dhe u vu në pranga shtetasi O. D., alias O. K., 40 vjeç.
Sipas Policisë, ai ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar pasi Gjykata e Apelit e Venecias, në Itali, e ka dënuar me 11 vjet e 1 muaj burg për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike” dhe “Falsifikimi dhe mbajtja e dokumenteve të rreme”.
Nga ky dënim, 40-vjeçarit i kanë mbetur për të vuajtur edhe 4 vjet e 15 ditë burgim.
Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet italiane, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Italisë.
