Në Dhomat e Specializuara në Hagë, të hënën është përmbyllur procesi i dytë gjyqësor ndaj ish-presidentit Hashim Thaçi.
Bashkë me Bashkim Smakajn, Isni Kilajn, Fadil Fazliun dhe Hajredin Kuçin, Thaçi u gjykua edhe për pengim të administrimit të drejtësi.
Në seancën e fundit të shqyrtimit gjyqësor, palët u përgjigjën në pyetjet e gjyqtarit, ku Zyra e Prokurorit të Specializuar edhe një herë kërkoi dënimin e të akuzuarve.
“Nuk ka pasur asnjëherë një çështje të tillë, një ish burrështetas që është në gjykim për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, bashkëpunon dhe jep udhëzime për të penguar zyrtarët për të ushtruar detyrat e tyre”, tha prokurori MattHalling.
Mbrojtja e ish-presidentit Thaçi dhe Bashkim Smakajt në seancën e së hënës kanë kundërshtuar transkriptet e ZPS-së duke thënë që fajësia nuk mund të vërtetohet duke u bazuar në to.
“Shpallja fajtor në këtë çështje nuk mund të bazohet vetëm në shkallë të gjerë në transkriptet e ZPS-së. Personat që i kanë bërë këto transkripte janë të panjohur dhe mbrojtja nuk e ka pasur mundësinë që t’i marrë në pyetje ata“, tha Sophie Menegon-avokate mbrojtëse e Hashim Thaçit.
“Mund të quhen çfarëdo lloj dokumenti tjetër por nuk mund të quhen në asnjë mënyrë prova me vlerë provuese. Këto janë po aq provuese sa edhe transkriptet e Prokurorisë që përbën zëra apo emra të caktuar, apo shkrime se çfarë dëgjohet në incizim lidhur me tingujt jobverbal”, u shpreh Jonathan Elystan Rees-avokat mbrojtës i Bashkim Smakajt.
Edhe mbrojtja e Isni Kilajt, Fadil Fazliut dhe Hajredin Kuçit kërkoi vendim lirues për ta, duke thënë që ata nuk kanë kryer asnjë prej veprave për të cilat ngarkohen.
Iain Edwards-avokat mbrojtës i Insi Kilajt: I vetmi verdikt në këtë rast, do të ishte verdikti i pafajësisë
David Young-avokat mbrojtës i Fadil Fazliut: Verdikti i saktë, i duhur, është ai i pafajësisë ndaj z. Fazliut, për të dy akuzat
Alexander Admiraal-avokat mbrojtës i Hajredin Kuçit: ZPS-ja i kushtoi vetëm katër paragrafë z. Kuçi. Në asnjë prej tyre nuk trajtohej asnjë fakt, asnjë dëshmitar i identifikuar që mund ta ketë kontaktuar, asnjë mesazh i identifikuar që mund ta ketë dërguar, asnjë shënim prej tij
Pas përmbylljes së procesit, gjyqtarit do të vendosë datën e shpalljes së aktgjykimit. Hashim Thaçi, Bashkim Smakaj, Isni Kilaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi akuzohen se në bashkëkryerje kanë ndikuar te dëshmitarët e rastit për krime lufte, ku i akuzuar është vetë Thaçi, e për të cilin jepet vendimi të mërkurën.
